Merr jetë projekti i Bashkisë së Tiranës për krijimin e një Pylli Orbital që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se aksioni për mbjelljen e pemëve do të shtohet në muajt në vijim. “E fillojmë mbarë këtë stinë mbjelljesh me 200 pemët e para, për të vijuar deri në mars të vitit tjetër. Është pjesë e konceptit tonë për Pyllin Orbital dhe duam që pas Parkut të Liqenit, që tashmë vizitohet rregullisht nga 300 mijë qytetarë, edhe në zonën e Farkës, që shtrihet në Njësinë 2 dhe në Dajt, të shtojmë aktivitetet argëtuese, të kemi më shumë animime, sporte dhe organizime në natyrë”, tha Veliaj.

 

Kreu i Bashkisë theksoi se në një qytet si Tirana, ku numri i automjeteve është mbi 200 mijë, raporti i mbetjeve dhe i ndotjes mund të balancohet nga mbjellja e dy pemëve për makinë. “Në një qytet si Tirana, që ka 200 mijë makina të vetat, nga 50-60 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë, na duhet të mbjellim 500 mijë pemë për të zeruar të gjithë efektin dhe ndotjen që shkaktojnë ato”, tha ai.

 

Veliaj u bëri thirrje kompanive dhe qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme që synon shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, por edhe përmirësimin e jetës së komunitetit.

 

Në njësinë administrative Farkë janë mbjellë 3000 fidanë të drurëve dekorativë e pyjore në territore publike, si dhe 2000 rrënjë fidanë ulliri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re