
Pas disa muajsh rezistencë nga artistët dhe shoqëria civile,
Bashkia e Tiranës vendosi të tërhiqej nga plani për ndërtimin e godinës së
Teatrit Kombëtar sipas skemës Partneritet Publik-Privat. Në njoftimin e
Bashkisë, thuhet se godina e Teatrit do të rindërtohet me mbështetje financiare
të fondeve publike.
“Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.
Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.” – shkruhet në deklaratë.
Në vijim, Bashkia shton se “do ta ndërtojë Teatrin e ri
Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha
kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet
publike”.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit reagoi në rrjete sociale
duke shkruar ndër të tjera:
“Kauza jonë është ndërtuar mbi themelet e drejtësisë, kjo
është arsyeja që njerëzit na kanë mbështetur, se përndryshe do të përfundonim
si ndonjë grup estetësh, ndaj ka qenë e pastër në mesazh dhe e
pakontestueshme.”
/aktoretshqiptare.info
