Një efektiv policie është arrestuar dhe një tjetër efektive është proceduar në gjëndje të lirë pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim kompjuterik.

 

 

Sipas burimeve, mësohet se në pranga ka rënë efektivi Arion Bardhi, specialist pranë Policisë Rrugore, ndërsa në gjëndje të lirë është proceduar kolegia e tij Mirela Hoxha.

 

 

Sipas hetimeve të AMP dhe të Prokurorisë së Tiranës, prej kohësh dy kolegët kundrejt shumave të parave nga qytetarët e ndryshëm kishin falsifikuar dhe kishin ndryshuar gjobat brenda sistemit të policisë rrugore. Duke patur akses në këto sisteme Bardhi dhe Hoxha, pasi siguronin paratë si rryshfet arrinin që gjobat e papaguara ti kthenin në të paguara.

 

 

Në pranga ka rënë gjithashtu sekseri i dy efektivëve, Erion Brako. Ky i fundit u merrte paratë nga qytetarët me qëllim fshirjen e gjobave nga sistemi. Këto para i ndante me efektivët e policisë rrugore tashmë të arrestuar.

 

 

Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka apo jo persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re