GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për kryeinspektorin e IMT, Dritan Nikolli, 47 vjeç, dhe inspektorin Ermal Baci, 36 vjeç.

Këta të fundit akuzohen për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorisë dy zyrtarët e IMT merrnin shuma prej 1-3 mijë euro për ndërtime të paligjshme në Kamëz.

Të dy këta persona ishin dhe pjesë e shtabit elektoral të PS-së në zonën e Kamzës. Arrestimi i tyre u krye pas një hetimi 6 mujor të ndërmarrë nga drejtoria e korrupsionit në Policinë e Tiranës,, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një periudhe 6-mujore, qytetarëve të ndryshëm në zonën e Bashkisë Kamzë, të cilët i konstatonin duke kryer ndërtime pa leje, u kanë kërkuar dhe u kanë marrë shuma monetare, në kembim të mosndëshkimit të tyre me masa administrative, sipas legjislacionit ne fuqi.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re