Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 45-vjeçar, shtetas i huaj, i cili ndërhynte në telefonat e qytetarëve dhe të komunikonte në emër të tyre në aplikacionet e shkëmbimit të mesazheve.

Sipas Policisë, 45-vjeçari siguronte kodin e verifikimit të aplikacionit në forma të ndryshme nga qytetarë të ndryshëm duke vënë në funksionim aplikacionin në aparatet e tij kompjuterike.

Operacioni policor i koduar “Hija”, u zhvillua nga Njësia për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Gjatë kontrollit të banesës të këtij shtetasi, u sekuestruan: 4 telefona celularë, një USB, 3 dokumente udhëtimi, 10 karta sim dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedural.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re