Numri i rasteve të reja në 24 orë në vendin tonë këtë të mërkurë ishte 19. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u shpreh se janë testuar 252 persona, nga të cilët 19 kanë dalë pozitivë.

Gjithsej kemi 494 të infektuar në Shqipëri. Sipas Rakacollit, pavarësisht numrave të ndryshëm në ditë të ndryshme, kurba vijon të jetë e qëndrueshme.

“Dje janë testuar 252 persona të dyshuar, mes tyre 44 janë personel shëndetësor. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor. Deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste. Siç shihet nga grafiku, edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarsisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qendrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar.”

Numri i të shëruarve ka shkuar në 251, ndërsa në terapi intensive vijojnë të jenë 12 pacientë. Në të dy spitalet COVID janë të shtruar 48 pacientë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re