Rosendo Obando, një mësues i thjeshtë në fshatrat e humbur të Kolumbisë, ka rrallë sinjal në telefon. Por nata kur ish-nusja e njoftoi se djali i tij, Jonathani, ishte bombarduar në Karaibe, do t’i mbetej në mendje si një makth.
“Djali yt u bombardua, shko kërkoje në Bogota!”- i thanë. Rosendo u nis me ankth, pa e kuptuar se si djali i tij, i cili kishte dalë thjesht për të peshkuar, kishte përfunduar në shënjestrën e ushtrisë amerikane.
Kur mbërriti në spitalin e kryeqytetit, ajo që pa ishte e tmerrshme. Jonathani, 33 vjeç, ishte i intubuar, i fryrë dhe me sytë e përgjakur. Ai ishte një nga dy të mbijetuarit e vetëm të një fushate sekrete bombardimesh që Uashingtoni nisi në vjeshtën e vitit 2025.
Mes 41 sulmeve dhe mbi 150 të vdekurve, Jonathan “Chiquitín” Obando kishte arritur të dilte gjallë nga një “stuhi zjarri” që deti po përpiqej ta mbante fshehur.
Kjo luftë kundër drogës funksiononte me rregulla të tmerrshme. Raketat hidheshin pa paralajmërim dhe pa dallim. Paradoksi ishte cinik. Nëse vdisje, konsideroheshe fajtor; nëse mbijetoje, liroheshe sepse raketat kishin shkatërruar çdo provë bashkë me anijen.
Pa asnjë dosje kriminale, Jonathani u gjend në mes të një lufte, ku jeta e një peshkatari të varfër vlente më pak se karburanti i një rakete. Nga shtrati i spitalit, me veshët që i buçisnin nga shpërthimet, djali i tregoi të atit tmerrin që pa me sy.
Ai betohej se nuk ishte në nëndetësen e drogës, por në një varkë peshkimi aty pranë kur raketat ranë nga qielli. Sipas tij, deti u mbush në çast me gjak dhe pjesë trupash. Bashkë me një shok, u kapën pas një gomoneje, duke parë të tjerët të mbyteshin përpara se t’i shpëtonte një anije ushtarake amerikane.
Në këto anë të harruara të botës, kufiri mes peshkatarit dhe trafikantit nuk ekziston. Varfëria është aq e madhe saqë shumë djem pranojnë të bëhen “vrojtues” për pak para, thjesht për të ngrënë një copë bukë.
Për ta, deti është e vetmja rrugë për të mbijetuar, edhe pse shpesh kthehet në një kurth vdekjeprurës ku shteti nuk duket kërkund, por plumbat dhe raketat mbërrijnë gjithmonë.
Rosendo u bërititi me sa kishte në kokë agjentëve të DEA-s që hynin e dilnin nga dhoma pa dhënë asnjë shpjegim. “Edhe nëse do të kishte pasur drogë, ai është qenie njerëzore…”-u thoshte babai me zërin që i dridhej.
Ai nuk kërkonte drejtësi politike, por thjesht dinjitet për djalin e tij, i cili ishte lënë pa ndihmë mjekësore për orë të tëra pas sulmit. Megjithatë, mbijetesa doli të ishte një dënim më vete.
Kur Jonathani u kthye në shtëpi, zhurma e vazhdueshme në veshë nga shpërthimet po e çmendte. I thyer shpirtërisht dhe i traumatizuar, ai i tha të atit fjalët që ia copëtuan zemrën: “Babi, nuk e duroj dot më këtë. Do të kishte qenë më mirë të vdisja atë ditë…”.
Ai ishte kthyer fizikisht, por shpirti i tij kishte mbetur atje, mes gjakut dhe kripës së Karaibeve. Sot, Jonathan Obando nuk është më në shtëpi. U largua sërish drejt detit pa thënë asnjë fjalë, ndoshta duke kërkuar një paqe që toka nuk ia dha dot.
Nëna e tij, Margarita, qëndron çdo ditë në breg duke parë horizontin me frikë. Ajo e di se deti është një varr gjigant pa emra, dhe lutet që këtë herë, djali i saj të mos bëhet pjesë e heshtjes së tij të përjetshme. /tesheshi.com/


