Në një kohë që e gjithë vëmendja e shtetit ka kaluar te pandemia Covid-19, ku janë pezulluar disa koncesione, Ministria e Infrastrukturës ka akorduar edhe 200 mijë euro të tjera për të rregulluar zyrat.

Gazeta SHQIP ka siguruar disa dokumente për një tender që ka bërë ky institucion, i drejtuar nga Belinda Balluku, ku mijëra euro të tjera po shpenzohen për efiçencën e godinës. Ky fond ka pasuar tenderin kryesor të bërë vetëm para pak muajve, ku ministria akordoi mbi 1 milionë euro për rregullimin e godinës së zyrave të ministrisë.

Dhe, të gjitha në një kohë që Shqipëria është mbërthyer nga pandemia dhe ku paratë publike duhet të shkojnë pikërisht për shëndetësinë dhe ndihmat ndaj atyre që humbin punën, të atyre që përfitojnë nga ndihma ekonomike apo edhe shtresave vunerabël.

Sipas dokumenteve që disponon SHQIP, ministria e Infrastrukturës nuk ka bërë një garë efikase në këtë tender. Procedura e zgjedhur është me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës, ndërkohë që punët nuk kanë qenë emergjente.

Emergjencë do të ishte nëse këto para do të shkonin për pandeminë dhe jo për luksin e zyrtarëve shtetërore. Në dokumente thuhet se objekti i tenderit është “aplikimi i teknikës më të fundit të efiçencës në godinën e MIE”, ndërkohë që afati për punimet do të jetë vetëm 2 muaj.

Pra, gjatë këtyre muajve të pandemisë, subjekti privat do të marrë nga buxheti i shtetit rreth 200 mijë euro, para që nuk shkojnë për qytetarët, por për luksin e qeveritarëve.

Para për zyra por jo për Covid!

Në kulmin e krizës financiare që po kalon vendi, të shpenzosh para për zyra dhe mobilim, është diçka absurde. Ministri i Tërmetit dhe Covidit, Arben Ahmetaj ka treguar se është i gatshëm për të ndihmuar biznesin me kredi të parë, të dytë, të tretë e kështu me radhë. Kjo natyrisht që të çon në falimentimin e biznesit, e me gjasë efektet e para do t’i japë në muajt në vijim.

Ministri Ahmetaj, ka shpërndarë edhe paga minimale për biznesin e vogël, rreth 50 mijë të tilla, por ndërkohë është shumë larg ndihmës së Maqedonisë, ku i dha 250 mijë punonjësve pagën minimale.

Shqipëria ka qënë pothuajse konstant në vështirësi financiare, por sot kemi kaluar një hap larg kolapsit. Turizmi ka falimentuar, bizneset e mëdha nuk po qarkullojnë as mall e as para, ndërtimi është në vështirësi dhe një krizë e re imobiliare po afron.

Përballë kësaj situate, të shpenzosh 200 mijë euro për kolltuqe, parket, tavolina e lukse të tjera, është e tepërt, për mos thënë cinike. Me këto para, shumë mirë të paguheshin edhe 1000 punonjës të tjerë, që për shkak të pandemisë së Covid-19, janë pezulluar nga puna. Dhe kjo do të ishte më efiçente, se vetë objekti i tenderit për zyrat e Ministrisë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re