Rusia mund të zgjerojë konfliktin me Perëndimin duke ushtruar presion ndaj Serbisë për të minuar pavarësinë e Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit, paralajmëruan liderët rajonalë në një intervistë për The Guardian.

Ata gjithashtu paralajmëruan, sipas Guardian, se rruga drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian duhet të përshpejtohet dhe mbrojtja kundër ndërhyrjes ruse duhet të forcohet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëron se “është në interes të Federatës Ruse që të ketë konflikte të reja, sepse nuk duan të kthehen në paqe”.

Presidentja e këtij vendi, Vjosa Osmani, parashikon se “Rusia, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, kërkon të destabilizojë të gjithë Evropën”, duke shtuar se Moska po përdor Serbinë për të rrezikuar vlerat demokratike.

Anëtari i presidencës boshnjake, Shefik Xhaferoviç paralajmëron se shteti është veçanërisht i cenueshëm ndaj ndërhyrjes ruse, pasi Milorad Dodik, një anëtar serb i presidencës me lidhje të ngushta me Kremlinin, kërcënon të tërheqë serbët e Bosnjës nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi tatimor – duke çmontuar Marrëveshjen e Dejtonit, e cila ndaloi luftën e vitit 1995.

“Dodik po përpiqet të përdorë faktin që vëmendja e Perëndimit është e përqendruar tek Ukraina”, tha Xhaferoviç për The Guardian.

“Sjellja e tij inkurajohet nga Rusia, e cila gjithmonë dëshiron të tregojë se mund të destabilizojë barkun e butë të BE-së dhe NATO-s. Qeveritë perëndimore duhet të marrin parasysh gjithçka dhe të përfshihen më seriozisht në Bosnje dhe në rajon”, arsyetoi Xhaferoviç.

“Këto janë kohë të errëta për Evropën dhe për të gjithë botën. Jemi dëshmitarë të diçkaje të tmerrshme. Ne kemi parë tmerre të ngjashme në Bosnj në vitet 1990”, shton Xhaferoviç.

Serbia gjithashtu ka aspirata për anëtarësim në BE, por në mënyrë diskrete balancon aspiratat evropiane dhe lidhjet e ngushta kulturore dhe politike me Rusinë. Në fillim të këtij muaji, mijëra njerëz valëvitën flamuj rusë dhe foto të Putit në një tubim pro-Moskës pas sulmit ndaj Ukrainës.

Sipas The Guardian, Vuçiç ka përsëritur disa herë se Serbia ka votuar kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara.

Osmani thekson: “Beogradi është i vetmi qytet në Evropë ku u mbajt një protestë pro Putinit me politikanë që thonë se mbështesin agresionin. Ata janë i vetmi vend në Evropë që nuk ka respektuar sanksionet e BE-së. Përkundrazi, ata kanë rritur numrin e fluturimeve nga Beogradi në Rusi”.

Kurti thekson se “neutraliteti po i vë në krah agresorët. Kjo është gjëja më e pandershme që mund të bësh. Nuk mund të jesh neutral mes një zjarri dhe një zjarrfikësi.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re