VALENTINA MADANI/ Këshilli Bashkiak i Himarës u përfshi dje nga tensione të forta pasi mbështetësit e Fredi Belerit kërkuan lirimin e tij.

Partia Socialiste mori kreun e Këshillit Bashkiak, i cili u zgjodh me shumicë votash Dhimitër Kapaj. Kapaj mori jo vetëm 9 votat e PS-së në këtë Këshill, por edhe votat e këshilltarëve të partisë MEGA dhe të PSD që përfaqësohen në legjislaturën e re të këtij institucioni. Këshilli Bashkiak i Himarës ka 21 këshilltarë. PS ka marrë 9 këshilltare, “Bashkë Fitojmë” 7, PD 4 Këshilltare, Mega 1 këshilltar dhe PSD 1 këshilltar. Mbledhja e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Himarës nisi këtë të martë me tension pasi mbështetësit e Belerit kërkuan daljen jashtë institucionit të bashkisë të punonjësve aktuale, duke pretenduar se brenda duhet te qëndrojnë vetëm mbështetësit e Fredi Belerit.

TENSIONET

Nisi me tensione konstituimi i Këshillit Bashkiak të Himarës, teksa Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit si kryebashkiak. Shkak për tensionet u bë leximi i letrës së Belerit nga një prej anëtarëve të këshillit, teksa mbështetës të kryebashkiakut të zgjedhur kërkuan lirimin e tij nga burgu. E pranishme ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, e cila u shfaq përkrah familjarëve të Belerit dhe kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule. Mësohet se në Himarë ishte edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Blendi Klosi bashkë me deputet e PS të këtij qarku.

Me Belerin në burg, Bashkia e Himarës do të vijojë të drejtohet nga kryebashkiaku socialist në detyrë Gjergji Goro, ndërkohë që socialistët do të drejtojnë edhe Këshillin Bashkiak me Dhimitër Kapajn. Nga 21 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Himarës, Kapaj mori 13 vota, kundrejt 8 votave që siguroi Afrovita Dhimojani nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Fredi Beleri është nën arrest që prej 12 Majit, i akuzuar për shitblerje votash. Së bashku me Pandeli Kokaveshin ata u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi, sipas prokurorisë së Vlorës, i kishin dhënë një të infiltruari të saj 40 mijë lekë për 8 vota.

LETRA

Fredi Belerit kryetari të zgjedhor të Bashkisë së Himarës nuk iu dha dje leje që të linte qelinë dhe të bënte betimin si kryebashkiak i Himarës. Megjithatë ai dërgoi një letër nga burgu ku theksoi se 45 ditët në paraburgim nuk e ndryshojnë besimin e tij të thellë te demokracia, te të drejtat dhe institucionet duke shtuar se “ky kalvar nuk do të ketë kryqëzim”.

Pak para nisjes së mbledhjes, kryetari i zgjedhur i Himarës, në një letër dërguar këshilltarëve bashkiakë dhe qytetarëve, akuzon Edi Ramën si autorin që fshihet pas arrestimit dhe mbajtjes së tij në burg. “Pas sulmit shpifës dhe vulgar ndaj meje nga Edi Rama në javën e fundit zgjedhore, arrestimit tim të paligjshëm dy ditë para garës zgjedhore, paraburgimit tim për 45 ditë, sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve”, shprehet kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës. Nga burgu ku ndodhet prej 12 majit dhe pas rrëzimit të kërkesave nga drejtësia për ndryshim të masës së sigurisë në arrest në shtëpi e deri te lirimi i përkohshëm, Fredi Beleri i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian të mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

“Jam i sigurt se së shpejti bashkësia ndërkombëtare do të mbrojë parimet dhe vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sepse mbi të gjitha sot një kryetar bashkie i zgjedhur në këtë pjesë të Evropës, një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën. Sepse sot u konfirmua synimi i kundërshtarëve të popullit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

Beteja e Fredi Belerit për të bërë betimin si kryebashkiak i Himarës vazhdon në Gjykatën e Lartë. Në 15 korrik ajo do të shprehet për ndryshimin ose jo të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest në shtëpi. Deri në këtë vendim bashkia e Himarës do të drejtohet nga kryetari në detyrë, Jorgo Goro.

Greqia: Goditje për shtetin e së drejtës

Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë Konstantina Kamitsi së bashku me kreun e PBDNJsë, Vangjel Dule, ishin dje të pranishëm në konstituimin e Këshillit Bashkiak në Himarë. Kamitsi ishte e ashpër sa i takon mospjesëmarrjes së Fredi Blerit në ceremoninë e konstituimit të këshillit bashkiak të Himarës.

Ajo deklaroi për mediat se Belerit iu mohua e drejta e tij për të qenë pjesë e kësaj ceremonie, ndonëse nuk është dënuar dhe ndaj tij nuk ka asnjë akuzë. “Mungesa e zotit Beleri në mbledhjen e parë të konstituimit, përbën një goditje të madhe të shtetit të së drejtës. Do të ishte regres i madh që Shqipëria në fushën e shtetit të së drejtës, që të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrave të tij një kryetar bashkie, zgjedhur në mënyrë demokratike, ndaj të cilit nuk ka akuza, apo dhe nuk është dënuar. BE është komunitet parimesh që duhet t’i zbatojë çdo vend që do të bëhet anëtar i tij”, tha ambasadorja nga Himara, e cila ndoqi nga afër këtë ceremoni, ku nuk munguan as tensionet.

Ndërkohë, Belerit nuk iu dha leje nga burgu për të qenë pjesë e ceremonisë. Ai është arrestuar për blerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule reagoi në lidhje me vendimin e GJKKO, për të mos lejuar Fredi Belerin të merrte pjesë në ceremoninë e konstituimit të këshillit bashkiak të Himarës, ku ai pritej të betohej si kryetar. Nga Himara, Dule e ka cilësuar si njollë të zezë për demokracinë faktin që Fredi Beleri po mbahet në burg, ndërsa shtoi se do ta vazhdojë politikisht betejën për lirimin e Belerit. “E mbajnë në burg pa ju dhënë e drejta kushtetuese për të marrë përsipër atë që i ngarkoi sovrani kreun e bashkisë së Himarës. As të lexojnë vendimin e gjykatës së Faktit për Vlorën nuk pritën. E kuptoni e shikoni dhe të gjithë bashkëqytetarët le të nxjerrin konkluzionin. Kjo ishte një njollë e zezë për demokracinë, për shtetin e se drejtës parimet dhe vlerat europiane.

I është dhënë vlefshmëri nga gjykata e Faktit. Nuk ka asnjë rol këshilli bashkiak. Ishte leximi i vendimit të vlefshmërisë së mandatit. Vërtetë ka ligj thotë Rama, po unë kam ligjin tim… është Maliqi i Ramës dhe ne ligjin do ta përballojmë si Maliqi. Ne do të vazhdojmë politikisht betejën tonë në të gjitha instancat brenda dha jashtë vendit. Demokracia, shteti i së drejtës janë në rrezik dhe po nuk e kuptuam tani nesër do të jetë vonë. Jemi në fazën e pushtimit të sovjetëve. Kontribuoni në ndërgjegjësimin e qytetarëve. Është frymëzim për të gjithë qytetarët e Himarës. Ne do t’i shkojmë deri në fund Belerit, ka fituar dhe në fund do të triumfoje. Jemi krenar që kontribuojmë për demokracinë”, tha Dule.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re