Punëtorët e Trepçës nën organizimin e Sindikatës së tyre për të dytën ditë me radhë kanë mbajtur grevë një orëshe duke nisur nga ora 08:00 e mëngjesit.

Ata po kundërshtojnë draftstatutin e Trepçës e nxjerr nga qeveria, ku thonë se nuk janë përfshirë vërejtjet dhe kërkesat e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ka thënë se i japin afat deri të hënën e ardhshme qeverisë, që t’i përfshijë edhe kërkesat e tyre në draftstatut.

“Nëse vërejtjet tona dhe kërkesat nuk përfshihen atëherë nga e hëna ose do të futemi në grevë të përgjithshme ose do ta dalim në rrugë me protesta”, ka thënë Sadiku për “Klan Kosova”.

Ai ka thënë se kërkesë e tyre është që në këtë statut të vendoset lista e aseteve të Trepçës si dhe të qartësohen të drejtat e punëtorëve.

“Edhe sot kemi mbajt grevë njëorëshe në të gjitha njësitë në nivel kombinati për ta paralajmëruar qeverinë, derisa të plotësohen kërkesat tona se nuk do të ndalemi”, ka deklaruar ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re