Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përgëzuar takimin e krerëve të shtetit në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në kuadër të situatës së krijuar nga Covid-19 në Shqipëri.

Ajo e ka cilësuar takimin si mbresëlënës dhe një udhëheqje të vërtetë që bëhet bashkë për të mbrojtur popullin shqiptar.

“E kuptoj se mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte e gjatë, por produktive. Shumë mbresëlënëse teksa sheh Presidentin Meta, kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e PD, Lulzim Basha si dhe udhëheqësit e tjerë që bashkëpunojnë për të mbrojtur popullin shqiptar dhe për të zbutur dëmet nga  COVID19. Udhëheqja e vërtetë.” shkruan Yuri Kim.

Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re