Komuniteti Islam në Austri (Islamische Glaubensgemeinschaft në Österreich IGGÖ) ka paralajmëruar autoritetet austriake të ndalojnë përhapjen e urrejtjes, pasi kështu po rrezikohet siguria e muslimanëve. Konkretisht, pas botimit të “Hartës Kombëtare të Islamit”, sulmet ndaj muslimanëve janë bërë më të shpeshta. Dje, anëtarët e grupeve ekstremiste të krahut të djathtë vendosën shenja paralajmëruese para disa xhamive në Vjenë: “Kujdes! Islami politik është afër – Më shumë informacion në: islam-landkarte.at”.

Menjëherë, policia austriake hoqi mesazhet provokuese.

Qeveria austriake kohët e fundit ka publikuar një “Hartë Kombëtare të Islamit” në Internet, e cila rendit emrat dhe vendndodhjet e më shumë se 600 xhamive, shoqatave dhe zyrtarëve, si dhe lidhjet e tyre të mundshme jashtë vendit.

Publikimi i një regjistri të tillë ka mërzitur muslimanët, të cilët kanë paralajmëruar se është çështje “stigmatizimi” që i bën ata “të ndjehen të pasigurt”. Harta interaktive “dëshmon për qëllimin e qartë të qeverisë për të shënuar të gjithë muslimanët si një rrezik të mundshëm”, u përgjigj Këshilli Musliman.