Nga: Alban Gorishti

Para pak ditësh në një nga Tv e njohura të vendit tonë pashë dedikimin e një babai të vuajtur ndaj vajzës së vet të “privuar” e cila tashmë ishte rritur por ndjenja e fajit e këtij babai për privimin fëmijëror të bijës së tij e nxiti, edhe pse 20 vite më pas, ti bënte nje dedikim “shfaqësues” të bijës duke na dhënë kështu të tërë neve nje mësim njerzillëku dhe ndjeshmërie të vërtetë. Varfëria, privimi, mos shtrirja e dorës së ndihmës në të kaluarën ishin nga elementet që e kishin bërë këtë baba të merrte përsipër këtë gjest fisnik në të tashmen, pra në nje lloj “shfajësimi” ndaj frytit të dashurisë, fëmijes së tij për mungesën ekonomike gjatë rritjes së saj . Por ajo që më beri përshtypje në këtë histori ishte reagimi i vajzës kur u pyet se a ishte ndjerë e privuar gjatë fëmijërisë së vet ndërsa ajo plot krenari, që ta jep vetëm vlersimi i virtyteve pa çmim, u përgjigj se nuk janë vlerat materiale ato që te sjellin lumturinë, por ngrohtesia e familjes dhe vlerat e vërteta shpirtërore, po ashtu shtoi se sa shumë njerëz që kanë të mira të bollshme financiare nuk janë të lumtur.

Nuk e di se pse fjalët e kësaj vajze më sollën me mëndje fjalët Kuranore në suren Maun, Zoti thotë :”A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër?…. Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun…. Dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfërin…. Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua)….” Maun

Fjala Maun në tefsiret e njohura merr kuptimin e sendeve të rëndomta shtëpiake që njerëzit japin hua për njëri tjetrin. Apo në një vend tjetër po ashtu komentohet si mosdhënie e lëmoshës.

Sot shikojmë bollëk sendesh por mungesë ndjeshmërie, shikojmë zhvillim intelektiv por mungesë afrimiteti, ndjeshmërie, ndihmë reciproke, dhembshurie etj. Sa shumë sot edhe pse kanë tepër e vlerësojnë atë që posedojnë prej të mirave materiale si shumëçka ,por a mundet të mbivlersohet siguria e një lumturie e cila merr fund me një “ulje në bursë”.

Krenaria në një vend tjetër në Kuran përshkruhet si të ecurit koklartë përball varfërisë  dhe privimit, këta thotë Zoti, injoranti i mendon si të pasur për shkak kësaj krenarie në mos pasjen (privimin) e tyre. Por realisht ata janë të nevojshëm madje edhe për gjërat më të rëndomta.

Helmi që hyn në organizmin e tejngopur nga prezenca e sendeve, orendive, pajisjeve ka aftësi t’ia humbasi njeriut, kësaj qenie dy lëndore, projektimin e duhur të lumturisë  mbi të gjitha në kohë të privimit apo të bollëkut, kohë ku shumë njerëz i kane shitur parimet dhe krenarinë e tyre si shkak i gjendjes që kalojnë.

Realisht privimi i ndihmës reciproke e ngurtëson qënien, e varfëron madje edhe begatinë e të pasurit, pasi një qenie e cila i thotë jo nevojtarit fisnik është një jo edhe ndaj përgjegjësisë në botën tjetër, është mjerim shpirtëror bashkë me atë material. Një qënie e cila nuk e ndihmon jetimin është një qënie që nuk di t’i lidhi faktorët e bollëkut që posedon por po ashtu dështon t’i bëjë bashkë shkaqet e rënies nga pozita e dikurshme e të pasurit.

Mesazhi i këtij babai ishte shumë domethënës por më tepër ishte reagimi i vajzës e cila edhe pse e privuar nga “sendet/orenditë”  nuk kishte pasur probleme të mëtejshme të tipit emocional në familjen e saj, pra nuk i kishte munguar dashuria, vlerësimi, ndaj ajo që e bëri këtë raport sinjfikativ ishte pikërisht vlerësimi i mundit prindëror që përtej pamundësive ekonomike nuk shfaqi pamundësi të tjera afektive përgjatë rritjes dhe edukimit me vlerat që realisht e fisnikërojne njeriun edhe nëse jeton në situata të vështira privimi material.

Prej tregimeve të këtij prindi (të cilat po ashtu më bënë përshtypje) ishte edhe ai se vajza e tyre kurrë nuk i kishte kërkuar prindërve gjëra, sende, lojra ashtu sikurse edhe fëmijët e tjerë i kërkonin prindërve të tyre.

Por natyrshëm më lind pyetja, sa njerëz duke parë këtë privim i ka shkuar në mendje t’i ndihmojë sadopak, me ato që munden familje në të tilla situata ? 

A përcillte ndonjë mesazh kjo rubrikë e  shfaqur në tv për ata që e ndoqën ? A ndikon besimi në mos ndihmesën e shtresave në nevojë qoftë me gjëra të vogla por mbi të gjitha edhe me projekte afatgjata?

Zoti në ajetet e mësipërme e lidh mos ndihmën e jetimit, nevojtarit, me, përgënjeshtrimin e botës tjetër, por a e dini se përse nje pjesë e atyre që kanë e përgënjeshtrojnë përgjegjësinë e realitetit të ditës së llogaridhënies? Kjo është e thjeshtë pasi ata besojnë se pasuria që kanë është sinteze e mundit, aftësive, njohurive të tyre dhe asgjëje tjetër, ndaj besimi se do të japin llogari për mos dhënien e këtyre sendeve, mallarave i bën tepër kryelartë/moskokëçarës që të mendojnë se duhet t’i japin llogari dikujt për atë pasuri(që tek e fundit nuk është e tyre) . Pra në pak fjalë fodullëku i tyre shkon deri aty sa nuk e shohin dot fare këtë pasuri si diçka që mundet edhe të mos jetë e tyre por si diçka e cila rrjedh prej tyre dhe është bërë nga ata. Nëse ky është mendimi i disave që kanë lindur të varfër e me pas janë bërë te pasur imagjinoni sesi janë psikologjikisht ata që kanë jetuar ne pasuri të trashëguar vazhdimisht?

Ndaj Zoti e nis këtë kaptine të shkurtër me fjalët, a e ke parë atë që e mohon përgjegjësinë në botën tjetër? Kjo pasi lumturinë dhe rehatinë e vërtetë Allahu nuk e ka lidhur me të pasurit, por me të kënaqurit ndaj asaj që të është dhënë në disponim, dhe mbi të gjitha me besimin se asgjë nga ato që të është dhënë nuk është pjesë thelbësore e mundit tënd por dhuratë nga Ai i cili të krijoi çdo të mirë pasi nuk ishe as një grimcë rërë, as nuk ekzistoje fare. Ndaj si i tillë nëse dëshiron lumturinë mos e privo askënd nga ato që posedon, pasi realisht ato nuk janë thelbi i lumturisë por një pjesë e vogël e saj.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re