Skip to content

Mesazhet e Ballukut zbulojnë kërkesën e Erdogan: “ASL është një kompani që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë”

Mesazhet e shkëmbyera midis Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi zbulojnë një fakt mjaft të rëndësishëm, që është lobimi i presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan për kompaninë “ASL”, fituese e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Në njërin prej mesazheve që kanë rrjedhur në media nga dosja hetimore lexohet qartë shprehja “Kjo është një shoqëri që ka ndërtuar një tunel autostradë 2xl 4 km në Turqi dhe është gjithashtu një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerësion dhe e përdor si referencë”.

Ky mesazh në anglisht i mbërritur në adresë të ministres Balluku nga pala turke dhe i kaluar më pas të drejtori i ARRSH, tregon interesin e drejtpërdrejtë të Erdogan për kompaninë “ASL”.

Në fakt, lidhja e pronarit të “ASL”, Abdulkadir Kart me Presidentin turk është e njohur publikisht dhe ka nisur përpara vitit 2000. Ndër vite ata kanë zhvilluar një marrëdhënie jo thjesht pune, por edhe familjare, madje Erdogan e ka pasur Kart pjesë të delegacioneve të tij në vizitat ndërkombëtare, duke e referuar atë dhe kompaninë e tij “ASL” edhe në shtete të tjera.

Në një foto të publikuar nga agjencia turke e lajmeve Ajans53.com Abdulkadir Kart shihet në shoqërinë e dy presidentëve Erdogan dhe Aliyev, kjo pasi me rekomandimin e presidentit turk, kopmania “ASL” ka pasur shtrirje edhe në projekte të rëndësishme në Azerbajxhan.

Lobimi i liderve apo përfaqësuesve të lartë të shteteve të mëdha për kompani të caktuara është i njohur edhe në vendin tonë. Rasti më i prekshëm është ai i “Rrugës së Kombit”, e cila ju dha një kompanie amerikane dhe ndërtimi i së cilës kaloi disa herë parashikimet financiare.

Një vend i vogël si Shqipëria ka nevojë të vazhdueshme për mbështetje nga partnerë strategjikë të fuqishëm si SHBA, Turqia apo Italia fqinje dhe lobimi i tyre për pjesëmarrje të kompanive të caktuara në vepra me rëndësi strategjike është pjesë e këtyre marrëdhënieve.