Deklaratat për gazetën “Panorama” e të ngarkuarit me punë në ambasadën amerikane në Tiranë, David Wisner nuk kanë kaluar pa vëmendje.

LEXO INTERVISTEN E PLOTE: Ekskluzive/ “Krenarë që mbështesim SPAK, po i vjen fundi pandëshkueshmërisë”- David Wisner: Sanksionet ‘non grata’ për të korruptuarit do të vazhdojnë

Të pyetur nga “News 24”, qytetarët kanë komentuar mesazhet e rëndësishme të diplomatit amerikan dhënë për politikën dhe shoqërinë shqiptare. Wisner u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës investuan për reformën në drejtësi dhe mbështesin fort SPAK-un në hetimet ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes dhe krimit të organizuar.

Qytetarët mendojnë Amerika ka merita të veçanta në reformën në drejtësi. Një qytetar shprehet se: “Në sajë të Amerikës po ecën Shqipëria”. Sipas tij, Amerika po e çon përpara vendin tonë. Një tjetër kryeqytetas beson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë meritë të madhe në reformën në drejtësi dhe i vendosi pikat kësaj reforme. “Pa Amerikën nuk do të bëhej reforma në drejtësi”, – thotë ai.

Një tjetër banor deklaron për mikrofonin e “News 24” se SPAK-u duhet të godasë politikanët si majtas, ashtu edhe djathtas pa dallime politike. Njëri prej tyre i bën thirrje SPAK-ut: “T’u nxjerrë ujin e zi të korruptuarve dhe se me SPAK-n nuk kanë parë gjë akoma”.

Qytetarë të shumtë folën edhe për situatën e fundit politike dhe në mënyrë të veçantë bllokimin e Kuvendit. Ata apelojnë për një opozitë të fortë dhe energjike, teksa partisë në pushtet i kujtojnë se opozita ka të drejtën e hetimit parlamentar. “PS-ja ka frikë nga komisionet hetimore parlamentare të cilat duhet të funksionojnë”, – tha një qytetarë.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner ka zgjedhur Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme për politikën dhe shoqërinë shqiptare. Wisner thekson se korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërinë dhe mbështet fort SPAKun në hetimet ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes dhe krimit të organizuar.

“Mendoj se SPAK-ut i takon një meritë shumë e madhe për përpjekjet e tij. Provat janë te rezultatet. Po shohim më shumë dënime, më shumë sekuestrime, më shumë konfiskime, më shumë hetime dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, çka do të thotë se SPAK po zhvillon reputacionin si organ serioz, i besueshëm ligjzbatimi me të cilin vendet e tjera mund të hyjnë në partneritet për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Partnerët amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë po rrisin bashkëpunimin me Shqipërinë si rezultat i kësaj. Kur njerëzit që kryejnë korrupsion si dhe figurat e krimit të organizuar hetohen, ngrihet padi kundër tyre, arrestohen, dënohen – këto tregojnë se ditët e pandëshkueshmërisë po i afrohen fundit. Po ashtu, u dërgohet një mesazh edhe aktorëve të tjerë të korruptuar”, – deklaroi diplomati amerikan.

I pyetur nga “Panorama” për deklaratat e Berishës dhe Ramës ndaj SPAK, Wisner refuzoi t’i përgjigjet të parit, sipas tij, sepse është i sanksionuar për korrupsion madhor, ndërsa si përgjigje për Ramën, ai thotë se janë 40 ekspertë amerikanë që financohen nga SHBA-të në mbështetje të drejtësisë, përfshirë edhe mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit, FBI, DEA etj.. Wisner thekson se marrëdhëniet mes SHBA-ve e Shqipërisë janë më të forta se kurrë ndonjëherë si dhe përgjigjet për ngërçin në Parlament dhe zërave se ndërkombëtarët mbështesin stabilokracinë në kurriz të standardeve demokratike në Shqipëri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re