Në Berlin përfundoi një konferencë paqeje ku përfaqësuesit e qeverisë me qendër në Tripoli dhe kryekomandanti Khalifa Haftar, i cili ka një fortesë në lindje të vendit, u ulën në tryezë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha gazetarëve se konferenca ra dakord se nuk mund të kishte zgjidhje ushtarake për konfliktin në Libi.

Lufta duhet të marrë fund

Presidentët e Turqisë dhe Rusisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin diskutuan gjithashtu situatën në Libi përpara samitit. Ata mbështesin anët e ndryshme të konfliktit libian dhe konsiderohen figurat kryesore në bisedimet e paqes në këtë vend.

Rusia mbështet kryekomandantin Khalifa Haftar, forcat e të cilit kontrollojnë pjesën më të madhe të Libisë lindore, të cilat filluan një ofensivë në prill për të pushtuar kryeqytetin Tripoli dhe për të rrëzuar një qeveri të njohur ndërkombëtarisht. Turqia, nga ana tjetër, mbështet një qeveri të njohur ndërkombëtarisht me qendër në Tripoli.

Përpara konferencës së Berlinit për Libinë, presidenti rus tha që shpresonte se kjo do të sillte përparim. “Ne nuk po humbasim shpresën se dialogu do të vazhdojë dhe konflikti do të zgjidhet”, tha Putin përpara takimit me Erdogan. Erdogan, megjithatë, theksoi se gjenerali Khalifa Haftar, i cili po drejton ofensivën që nga prilli 2019 për të pushtuar Tripolin, do të duhet të heqë dorë nga qëndrimi i tij agresiv në mënyrë që t’i hapë rrugën procesit politik.

“Në mënyrë që të kalojnë fazat e tjera të procesit politik dhe të arrijmë një zgjidhje, qëndrimi agresiv i Haftarit duhet të ndalet,” i tha Erdogan televizionit turk para se të takohej me Putin.

Armëpushimi i thyer

Ndërsa negociatat ishin duke filluar në Berlin, u raportua se shpërthime të forta pati në kryeqytetin Tripoli, me një re të trashë tymi që ngrihej mbi lagjet jugore të qytetit.

Një zëdhënës i forcave besnike të qeverisë së Unitetit Kombëtar libian të njohur ndërkombëtarisht, Abdul Malik al-Medeni, tha se forcat besnike ndaj Khalifa Haftar kishin shkelur armëpushimin dhe granatuan lagjet jugore të Tripolit.

Ai tha se forcat qeveritare iu përgjigjën sulmeve dhe e vendosën situatën nën kontroll.

Ndërkohë, pesë terminalet e naftës në lindje të vendit janë mbyllur në Libi pas protestave të besnikëve ndaj Khalifa Haftar. Kjo vlerësohet se shkakton humbjen e afro 800,000 fuçi naftë në ditë.

Libia është rrënuar nga trazirat dhe lufta civile që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme, e mbështetur nga NATO, rrëzoi dhe vrau Muhammar Gaddafi, një udhëheqës prej dekadash në këtë vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re