Arqipeshkvi i Mirditës Don Gjergj Meta ka reaguar lidhur me vrasjen e 17-vjeçares Griselda Gjinkolaj me origjinë nga Mirdita, mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.

Don Gjergj Meta ka dhënë një mesazh për mediat për t’u treguar më të kujdesshë në lidhje me informacionet që jepen.

“Kur gënjehet apo sajohet për një klik më shumë. Pse? Tragjedia e vajzës së vrarë mbrëmë na ka prekur të gjithëve.

Vetëm 17 vjeç dhe me shumë dëshirë për të jetuar si të gjitha bashkëmoshatarët e saj. Informacioni është një e drejtë, por… mos ia vdisni nënën se e ka gjallë e as të atin mos e bëni me faj duke gënjyer se është larguar. Janë një familje normale e Shqipërisë dhe Mirditës tonë që janë larguar nga Kurbneshi për një jetë më të mirë në Tiranë ashtu si mijëra familje që nuk shohin një të ardhme aty.

Iliri dhe Drita janë prindërit e vajzës së vrarë dhe janë bashkë. Verifikoni përpara se të shkruani të dashur gazetarë. Mos vrisni dy herë. Respektoni familjen dhe dhimbjen e tyre. Mos ushqeni thashethemin e kureshtarëve epshorë vetëm për pak klikime duke thënë gjëra të pavërteta”, thotë arqipeshkvi.

Adoleshentja ndërroi jetë dje pas të plumbave që mori kur ishte në një makinë me 23-vjeçarin Erion Benga.

(e.f/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re