Partia Demokratike ka dërguar një mesazh ngushëllimi për vdekjen e ish-themeluesit të Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga.
 
Në mesazhin ngushëllues të PD-së shkruhet se Hajdaraga ishte një kontribues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.
 
“Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, protagonist i zhvillimeve të së majtës shqiptare gjatë 28 viteve të fundit. Hajdaraga ishte një kontribues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.
Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës. Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re