Kryeministri Rama i ka diktuar kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, që sa më shpejt të bëjë të mundur kapjen e Klemend Balilit, personazhit të shndërruar në emblemë për rendin në Shqipëri, qyshse është zhdukur në maj të 2016-ës, pasi emri i tij u nxorr nga autoritetet greke si një prej trafikantëve të drogës, madje dhe me epitetin mbivlerësues “Eskobari i Ballkanit”.

Ish-drejtori i LSI-së, prej atëherë nuk dihet se ku ndodhet, e çdo tentativë për të kapur ka rezultuar një dështim deri më tani. Kjo ka bërë që në shumë dalje të ish-ambasadorit Lu, emri i Klemend Balilit të ishte prezent se bashku me të tjera emra, në mesazhet që ish-përfaqsuesi i Uashingtonit në Tiranë i përcillte qeverisë në formë vërejtjeje.

“Nuk dua i dashur Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, të na përmendë ambasadorja e re amerikane se kemi ende pa arrestuar Klemend Balilin, ashtu si nuk dua të jenë në detyrë drejtorë e shefa, në zona apo pika, ku unforma dhe dinjiteti vihen në diskutim nga persona të tillë dhe makinat e pordhës së tyre, po as nga kundrravajtësit që gërryejnë lumenj, presin pemë dhe hedhin inerte, qoftë për të kapur Klemend Balilin, apo për të gozhduar të fortë të tjerë”, ishte ky mesazhi i Ramës për kryepolic Ardi Veliun, përcjellë në një takim me kupolën e Policisë së Shtetit.

Por ka një koinçidencë në këtë mes. Veliu e Balili, janë bashkëfshatarë deri diku. Që të dy nga Delvina, vendlindjet e tyre janë jo larg njëra-tjetrës.

Pra, Ardi Veliu ka para dhe një sfidë lokale, pasi duhet të gjejë dhe arrestojë një njeri të zonës së tij.

Duhet parë në vijim se ç’efekt do ketë mesazhi gati ultimativ i Ramës për një delvinjot në majën e Policisë së Shtetit, i cili duhet të kapë një delvinjot, më të kërkuarin nga policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re