Problematikat në arsim janë të dukshme dhe kushtet janë si mos më keq. E këtij mendimi ka qenë Edlira Çepani, e cila në një intervistë për Quo Vadis në Vizion Plus deklaroi se sot që ishte dita e parë e shkollës, 433 nxënës të gjimnazit Sali Halili zhvilluan mësimin në lokal.

 

Ajo shtoi se kjo shkollë nuk kishte kapacitetet e duhura për të pritur këta nxënës, ndërsa vë në pah se në shkollat sot mungojnë infrastruktura bazë siç janë tualetet apo ndriçimi e çatia.

 

“Shkolla e mesme Sali Halili në Prrenjas me 433 nxënës e bëri mësimin ditën e parë në lokal. Sepse nuk kishte kushte infrastrukturore shkolla për të mirëpritur këta fëmijë. Unë kam ndërtuar shkolla dhe kopshte në disa rajone dhe fshatra të Shqipërisë. Kushtet që kemi parë janë të frikshme. Fatkeqësisht edhe në vitin 2023 ne sot kemi shkolla të cilat jo vetëm që nuk kanë infrastrukturën teknologjike që duhet për ditët e sotme, por nga ana tjetër nuk kanë as infrastrukturën bazë që janë tualetet, higjena, çatitë apo ngrohja dhe ndriçimi. Mendo se sa e lehtë është për të ndërtuar infrastrukturën dhe të dalësh tek problematikat më të madha që janë të prindërit, mësuesit, shpopullimi e gjithë këto të tjerat. Infrastruktura është e thjeshtë, vetëm investim, para, buxhet.

 

Mungesa e vizionit për investim duket që në arsim dhe unë do citoj shprehjen e Sami Frashërit që sot qarkulloj shumë në rrjetet sociale: “Nëse do të mbjellësh për një vit mbill misër e grurë, nëse do të mbjellësh përgjithmonë mbill arsim dhe kulturë”. Që këtu duhet të fillojë diskutimi dhe buxhetimi”, tha Çepani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re