Eksperti për çështjet e arsimit, Ndriçim Mehmeti deklaroi se ajo çfarë na pret pasi të përfundojë pandemia është një brez të rinjsh i deformuar. Në një lidhje për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Mehmeti tha se mësimi i alternuar nuk është masa e duhur që duhej marrë. Sipas tij, tani nuk ka më kohë për të marrë masa.

 

“Sa i takon mësimit të alternuar, ne nuk i kemi krijuar kushte dhe mundësi vetes për ta bërë. Ne duhet që që kur u mbyll shkolla 7-8 muaj përpara, të kishim menduar se çfarë do të ndodhte në skenarët një, dy dhe tre. Masat kanë qenë zero, ne nuk kemi ditur t’i paraprijmë kësaj situate, nuk kemi ditur të marrim masa për një mësim të sigurt. Fëmijët nuk bëjnë mësim të sigurtë sepse nuk ka maska, dezinfektantë. Në këto kushte që jemi ne nuk mund të bëjmë asgjë sepse nuk kemi marrë asnjë masë. Ne do të bëjmë sikur do të bëjmë mësim, nxënësit do të bëjnë sikur do të marrin ca nota dhe në fund rezultati do të jetë një deformim i plotë i këtij brezi që kemi. Ne e dimë shumë mirë që nuk kemi internet përreth Tiranës, që kemi familje shumë të varfra dhe e kemi të pamundur për të bërë një mësim të alternuar. Zgjidhja në këto kushte, nëse unë do të merrja një vendim, do ta merrja shumë muaj më përpara. Sot nuk ka kohë për vendime.duhet të kishim marrë mjedise me qira, të shfrytëzonim mjedise të shkollave profesionale. Kishim një seri mundësish për të studiuar, por nuk bëmë asgjë. Por thamë kështu po e bën Evropa, kështu po e bëjmë edhe ne.”

 

 

Ndriçim Mehmeti shtoi se vendimi për të bërë mësim të alternuar nuk është transparent. Për të, ne nuk dimë se çfarë ndryshoi në shkolla që na çoi drejt kësaj vendimmarrjeje.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re