Në ditën e parë të vitit të ri akademik studentët nuk kishin mundësi të uleshin në auditore, por kjo e hënë i gjeti ata duke protestuar para Ministrisë së Arsimit kundër vendimit për vijimin e mësimit online.

Përmes një kërkese drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, studentët kërkuan zhvillimin e seminareve dhe praktikave mësimore në auditore. Gjithashtu, ka edhe prej atyre pedagogëve, të cilët e cilësojnë të drejtë protestën e studentëve kundër mësimit online.

Për këtë fakt ka reaguar dhe pedagogu Rezart Prifti, i cili u shpreh për televizionin FaxNews, se mungon infrastruktura e duhur për të arritur të bëhet një mësimdhënie e frytshme. Gjithashtu pedagogu thekson se studentët dhe profesorët janë kapur gafil nga kjo vendimarrje, megjithëse Ministria e Arsimit kishte gjithë kohën e nevojshme për të marrë masat si dhe për të lajmëruar në kohë profesorët dhe studentët.

“Që nga fillimi i pandemisë dhe deri tani ka qenë një dështim spektakolar i zonjës që kishte drejtimin e Ministrisë së Arsimit, para se të vihej kjo e reja. Pra ishte një dështim i përmasave të papërshkruara në sistemin tonë, mosveprimi për të bërë asnjëgjë, ose siç e kemi ne në sistemin tonë për të bërë gjasme. Zonjës që është në momentin tani do t’i duhet pak kohë që të futet në problematikën e institucionit.

Ishtë koha mëse e mjaftueshme për të marrë masa në aspektin politik, në investimet e nevojshme që duheshin për këtë punë, si dhe për sa i përket infrastrukturës. Vendimi për tu bërë mësimi online deri diku duhet,por është i vonuar, pasi ti nuk mund t’i thuash njerëzve dy ditë para që mësimi do të bëhet online. Studentët dhe pedagogët u kapën gafil në këtë situatë”. -tha Prifti.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re