Makutëria e disa njërëzve në çaste fatkeqësie kalon çdo limit të etjes për të vjedhur apo përlarë çdo gjë të mundshme, me qëllim përfitimin e të mirave materiale që më pas gjenerojnë para. Një rast shumë i rëndë u zbulua dje në Tiranë, ku njerëz të veshur me uniformë policie dhe një pedagoge e Akademisë së Mbrojtjes me gradën shkencore, janë kapur duke vjedhur pakot me ushqime dhe batanije të dorëzuara nga fondacioni “Fundjava Ndryshe”, ndihma këto që duhet të shkonin për personat e pastrehë të prekur nga tërmeti.

Altin Zekaj, me detyrë shefi i seksionit të Rendit pranë komisariatit
të Rinasit dhe gruaja e tij Valbona Zekaj, pedagoge tek Akademia e
Mbrojtjes, janë të dyshuar si protagonistët kryesorë të vjedhjes së
ndihmave, duke arritur të marrin dhe të çojnë në banesën e prindërve të
tyre, plot 15 qese me ushqime të paketuara me ambalazhin e fondacionit
“Fundjava Ndryshe” dhe 7 batanije. Ndërkohë 18 pako me ushqime të këtij
fondacioni janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Tre janë personat e arrestuar.

Sipas akuzës, pedagogia Valbona Zekaj ishte ajo që siguronte ushqimet
dhe më pas ja jepte bashkëshortit të saj, i cili urdhëronte një
punonjës tjetër policie Ervin Haxhillarin, që t’i dërgonte pakot me
ushqime në banesën e prindërve të Valbonës, ku jetonte dhe vëllai i saj
zjarrfikës, Alban Taulla. Mes personave të arrestuar është
pikertisht zjarrfikësi Arben Taulla dhe komandanti i skuadrës në
seksionin e rendit në komisariatin e Rinasit, Ervin Haxhillari. Ky i
fundit ka vendosur të bashkëpunojë me policinë duke treguar të gjithë
çfarë kishte ndodhur. Ndaj këtij punonjësi policie, prokuroria ka
kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ndërsa për dy kunetërit Altin Zekaj dhe Alban Taulla është kërkuar masa e
sigurisë “arrest në burg”. Për pedagogen Valbona Zekaj hetimet vijojnë
në gjendje të lirë.

Shqiptarja.com ka arritur të zbardhë të gjithë dinamikën e vjedhjes
së ndihmave. Në datën 28 nëntor 2019 është marrë informacioni nga
Shërbimet e Ankesave në Ministrinë e Brendshme se disa persona me
uniform policie po kryenin vjedhjen e ndihmave të dhuruara për banorët e
prekur nga tërmeti. Nga rrjetet sociale është siguruar një video
amatore që tregonte një furgon me targat e Ministrisë së Brendshme, i
cili po shkarkonte pakot me ushqime dhe batanije në rrugën “Xhanfize
Keko”, që ndodhet në rrugën administrative nr. 4 në Tiranë. Menjëherë
është kryer verifikimi i targës MB 391 AA dhe ka rezultuar se ky furgon
përdoret nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. Shërbimet e
policisë kanë shkuar në vendin ku ishte shkarkuar furgoni i policisë dhe
teksa në banesë është paraqitur Alban Taulla, me detyrë zjarrfikës,
kanë ushtruar një kontroll në ambientet e apartamentit prej nga kanë
gjetur dhe sekuestruar 15 pako me ushqime të “Fundjava ndryshe” dhe 7
batanije. Menjëherë është kryer arrestimi i këtij personi. Ndërkohë
gjatë hetimeve është identifikuar dhe polici Ervin Haxhillari që ka
shërbyer si shofer i furgonit, i cili pasi është ndaluar nga policia ka
pohuar se në lidhje me përdorimin e furgonit të Ministrisë së Brendshme
ai është urdhëruar nga shefi i rendit të komisariatit të Rinasit Altin
Zekaj, për të marrë një sasi ndihmash që i kishte siguruar bashkëshortja
e tij përmes njohjeve të saj personale. Polici tregon se këto ndihma
duhet ti dërgonte në banesën e vjehrrës së shefit të rendit me emrin
Shkurte Taulla, ndërsa pjesën tjetër prej 20 pako ishte urdhëruar për ti
çuar në zyrën e Altin Zekaj. Për të bërë këtë transportim, Zekaj e ka
udhëzuar që polici Haxhillari të kontaktonte në telefon me vjehrrën
Shkurte Taulla, e cila më pas ka marrë ndihmat, për ta ndihmuar të birin
e saj Alban Taulla.

Roli i Valbona Zekaj duhet të sqarohet nga prokuroria.  Sipas disa
përgjimeve që Shqiptraja.com ka lexuar, sapo ajo ka mësuar prezencën e
policisë në banesën e prindërve të saj, Valbona i kërkon ndihmë një
shoqes së saj E.N., që të shkojë në banesë dhe të tërheqë pakot me
ndihma dhe t’i dorëzojë tek njësia administrative nr. 3 në Tiranë.
Valbona i justifikohet shoqes së saj se ajo vetë dhe burri i saj Altini
ndodhej në Shkodër dhe e kishte të pamundur që t’i çonte vetë pakot me
ushqime. Nga dokumenti që kemi siguruar rezulton se pedagogia Valbona
Zekaj i thotë në telefon shoqes së saj E.N., e cila rezulton të jetë dhe
administratorja e njësisë nr.3 në Tiranë:

Valbona Zekaj: “…një mikesha ime nga Kosova më ka sjellë 20 pako me
ndihma tek shtëpia e mamit tim, ku nga këto 10 pako do t’i çoj Altini në
komisariatin e policisë Rinas dhe 10 pako janë për njësinë
administrative nr.3 në Tiranë për fëmijët në nevojë. Të lutem a mund të
shkosh t’i marrësh tek shtëpia e mamit tim sepse unë jam në Shkodër me
Altinin dhe mamaja ime nuk ka mundësi që t’i sjelli…”.

E. N.:“…dakord, por e mira do ishte që t’i dërgosh tek pika e grumbullimit e të gjitha ndihmave…”.

Valbona insiston që administratorja e njësisë nr.3  të shkojë tek
shtëpia e mamit të Valbonës në rrugën “Xhanfize keko”, në një pallat
pesë katësh, ku në katin e katërt të tij ishte banesa. Por kur ka shkuar
atje ka gjetur policinë.

E. N. tregoi: “…pranona të shkoja dhe brenda 10 minutave kam arritur
tek shtëpia e mamit të Valbonës. Atje u përballa me policinë, të cilëve
ju prezantova se kush isha, dhe nga ana e tyre më është thënë se po
bëhen verifikime se ku janë marrë këto ndihma, dhe si janë marrë dhe si
kanë përfunduar në këtë banesë këto ndihma. Pas kësaj u largova….”-thotë
E. N. Por mbas një ore kjo e fundit është përballur në rrjetet sociale
me një video, ku dallohej një furgon policie që shkarkonte ndihma dhe ka
dalluar një grua, e cila duket si nëna e Valbona Zekaj.

E.N. tregon qe  “…këtë video ja dërgova Valbonës në inbox-in e
instagramit dhe i thashë: ”mos u mundo herën tjetër të ma fusësh mua në
këto gjëra, nuk jam fëmijë unë, turp”. Sapo Valbona e shikon mesazhin në
instagram më telefonon dhe më thotë që për kokë të djalit ti nuk ke
lidhje fare me këtë histori, sepse këto ndihma me të vërtetë i kam marrë
për familjet në nevojë në njësinë nr.3. Por unë i them që Valbona të të
vijë turp që më shqetëson në këtë mënyrë, nuk ta kam për borxh të më
përballësh me policinë. Ndërkohë në telefon del Altini dhe më thotë që
nuk kemi asnjë gjë me ty dhe të rrish ne qetë se nuk ka asnjë në lidhje,
sepse mua nuk më plas për 15 pako, sepse mendova realisht të t’i sillja
ty 15 pako, sepse 25 të tjera i kam çuar në komisariatin e Rinasit. U
thashë që të mos më shqetësonin më dhe që atëherë i kam mbyllur
telefonin dhe nuk kam komunikuar më…”, tregon E. N.

Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje dhe pedagogia e
Akademisë së Mbrojtjes Valbona Zekaj, e cila ka deklaruar se: “…jam
pedagoge prej shumë vitesh pranë Akademisë së Mbrojtjes me gradë
shkencore. Kam marrë në telefon E. B., e cila është një avokate e njohur
dhe nuk e di çfarë pozicioni ka në fondacionin “Fundjava Ndryshe”, dhe i
kam thënë që më duhet 10 apo 15 pako me ndihma për gratë e njësisë 3
meqënëse jam kryetare e gruas të Partisë Socialiste në njësinë 3, dhe
këto pako duhet t’ia çoja grave që na kanë ndihmuar dhe gjatë fushatës
dhe që tashmë kishin nevojë për ushqime. Ose këto pako mund ti çonim në
bashkinë e Tiranës, por akoma nuk e kishim vendosur pasi ndodhesha
jashtë Tiranës…”-thotë Valbona Zekaj.

Lidhur me vjedhjen e pakove me ushqime dhe batanijeve është marrë në
pyetje dhe shefi i rendit në komisariatin e Rinasit, Altin Zekaj. “…Jam
me detyrë shefi i rendit në komisariatin e Rinasit prej 4 vitesh. Gruaja
ime e quajtur Valbona Zekaj, punon si pedagoge dhe është e angazhuar me
shoqërinë civile. Dje më tha që do të merrte disa ndihma pranë një
fondacioni, të cilin unë nuk e di emrin se si quhet dhe me këtë rast,
unë i kam thënë nëse ishte e mundur që të siguronte ndihma edhe për
punonjës policie të komisariatit të Rinasit, që mund të ishin prekur nga
tërmeti dhe kishin nevojë për ndihma. Ajo ka pranuar dhe më tha që
kishte siguruar edhe 20 pako, sasinë e saktë nuk e di, dhe këto pako do
ja jepja efektivave të policisë së komisariatit Rinas. Pasi kam njoftuar
shefin e komisariatit, i kam dhënë urdhër komandantit të skuadrës Ervin
Haxhillari, që të shkonte me makinën e policisë së Rinasit dhe të bënte
transportin e këtyre ndihmave. Një pjesë të pakove duhet t’i sillte në
komisariat ndërsa pjesën tjetër duhet ta shpërndante tek efektivët e
policisë së Rinasit që kishin nevojë…”-thotë shefi i rendit Zekaj. Por
pakot në fakt nuk kanë shkuar tek banesat e policëve por në banesën e
vjehrrës të Altin Zekaj./Shqiptarja.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re