Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, i ka shënuar plot 400 gola në La Liga dhe nuk e ka aspak të lehtë ta zgjedhë vetëm një si të preferuarën e tij. Megjithatë, ai e kujton golin e parë të shënuar për Barcelonën, në ndeshjen kundër Albacetes, si golin më të mirë të karrierës për të.

Messi, përmes golit të shënuar në ndeshjen kundër Eibarit, u bë lojtari i parë në histori të La Ligës që arrin t’i shënojë 400 gola gjatë karrierës së tij. Argjentinasi e kishte thyer rekordin për më së shumti gola në këtë ligë para disa kohëve.

Përkundër që Messi u radhit vetëm në pozitën e pestë në garën për Topin e Artë këtë vit, me të cilin u shpërblye Luka Modriç, shumë persona mendojnë se argjentinasi mbetet lojtari më i mirë në futboll.

Statistikat e Messit këtë sezon e mbështesin këtë pretendim të tifozëve të Messit, pasi që ylli argjentinas ka arritur t’i shënojë 17 gola dhe t’i bëjë 11 asiste në vetëm 17 paraqitje në La Liga këtë sezon.

Për më tepër, Messi e ka ndihmuar klubin e tij edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, përkundër që mungoi në dy ndeshje për shkak të një lëndimi. Argjentinasi i ka shënuar gjashtë gola dhe e ka bërë një asist ne vetëm katër ndeshje të kësaj gare.
Këtë sezon, argjentinasi e ka mesataren më të mirë në karrierën e tij sa i përket ndikimit në lojë brenda 90 minutave, përmes asisteve dhe golave të shënuara, duke i përjashtuar këtu golat e shënuara nga pika e penalltisë.

“Goli im më i veçantë? I pari kundër Albacetes pas një pasimi nga Ronaldinho. Nuk do ta harroj kurrë. Golat e shënuar në El Clasico janë gjithmonë të veçanta dhe kundër rivalëve të mëdhenj, që zakonisht janë Atletico Madridi, Valencia dhe Sevilla”.

“Gjithashtu, edhe golat që kam pasur fatin t’i shënoj para tifozëve në Camp Nou. Në Camp Nou, ata janë gjithmonë shumë të mirë me mua. Në fund të fundit, golat më të rëndësishme nuk janë më spektakolaret, mirëpo ato i ndihmojnë skuadrës më së shumti”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re