Lionel Messi është zyrtarisht pronar i Cornella-s me bazë në Barcelonë.

 

Klubi që luan në kategorinë e tretë për nga rëndësia, njoftoi së fundmi se ylli argjentinas bleu të gjitha aksionet.

 

Komunikata e klubit spanjoll:

 

UE Cornella njofton se futbollisti argjentinas dhe fituesi tetë herë i Topit të Artë, Leo Messi, ka zyrtarizuar blerjen e klubit, duke u bërë pronari i ri.

 

Ky veprim përforcon lidhjet e ngushta të Messit me Barcelonën dhe angazhimin e tij për zhvillimin e sportit dhe talenteve lokale në Katalonjë – një lidhje e rrënjosur në vitet e tij në FC Barcelona dhe e qëndrueshme që atëherë.

 

E themeluar në vitin 1951, UE Kornela është një nga klubet me traditën më të madhe në futbollin katalanas, si dhe në nivel kombëtar. Gjatë gjithë historisë së tij, klubi është dalluar përmes një akademie të fortë rinore dhe aftësisë së tij për të garuar në nivelet më të larta të futbollit gjysmë-profesionist spanjoll, duke u bërë një pikë referimi në zhvillimin e talenteve të reja. Disa lojtarë që kanë arritur nivelin elitar të futbollit kombëtar dhe ndërkombëtar kanë kaluar nëpër radhët e klubit. Përfshirë portierin e Spanjës dhe Arsenalit, David Raja; Zhordi Alba, ish-shoku i skuadrës së Mesit si në Barcelona ashtu edhe në Inter Majemi; Zherard Martin, një nga lojtarët e shquar të Barcelona; Javi Puado, kapiten i Espanjol dhe përfaqësues i Spanjës; përfaqësuesi senegalez Keita Balde, me përvojë të gjerë në ligat kryesore të Evropës; Aitor Ruibal, një nga kapitenët aktualë të Real Betis; dhe Ilie Sançez, kampion i MLS dhe dy herë All-Star i MLS. Të gjithë ata – së bashku me shumë të tjerë që kanë vazhduar të ndërtojnë karriera profesionale – pasqyrojnë forcën dhe suksesin e modelit të zhvillimit të klubit.

 

Angazhimi i Messit ndaj talenteve të reja reflektohet edhe në strukturën e fortë të të rinjve të klubit, me ekipe që garojnë në kategoritë kryesore të të rinjve si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal. Ky angazhim është demonstruar edhe nga kapiteni i Argjentinës përmes iniciativave të tjera të zhvillimit të të rinjve, siç është Kupa Messi – një turne që mbajti edicionin e tij të parë dhjetorin e kaluar në Miami, duke paraqitur tetë nga ekipet më të mira U16 në botë (Newell’s Old Boys, Inter, River Plejt, Inter Miami, Atletico Madrid, Chelsea, Manchester City dhe FC Barcelona).

 

 

Ardhja e Leo Messit shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë e klubit, që synon të nxisë rritjen sportive dhe institucionale, të forcojë themelet e tij dhe të vazhdojë të investojë në talente. Projekti udhëhiqet nga një vizion afatgjatë dhe një plan strategjik që kombinon ambicien, qëndrueshmërinë dhe një lidhje të fortë me rrënjët e tij lokale”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re