Skip to content

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Progetto senza titolo 12

Fëmijët romë po harrojnë gjuhën e tyre, sidomos shkrimin e saj. Një mësues në Fier, pjesë e këtij komuniteti, ka kthyer shtëpinë e tij në një klasë ku ju mëson vogëlushëve romishten. Latif Kazanxhiu akuzon partitë politike se nuk e kanë në vëmendje këtë minoritet 

Fier– Latif Kazanxhiu prej më shumë se 20 vitesh përcjell tek brezat e rinj të komunitetit rom në Baltëz e Mbrostar të Fierit, dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat e komunitetit rom.

Ai është themeluesi i organizatës “Rom Aktiv Albania” dhe një ndër mësuesit e  parë të gjuhës rome në Shqipëri, ndërsa dëshira e tij e hershme ka qenë që komuniteti rom të ketë përfshirje sociale dhe një qasje të barabartë, për të pushuar së qeni pjesë e marxhinalizuar në shoqëri.

“Lidhur me arsimimin tim, prindërit kanë qenë ata që më kanë edukuar me frymën arsimdashëse, ndërsa tregon se gjuhën rome e kanë ruajtur vetëm në familje deri para viteve ‘ 90, ndërsa ndryshimi i sistemit na gjeti tërësisht të papërgatitur.

Çdo parti politike kishte programin e vet, por komuniteti rom ishte jashtë vëmendjes së tyre. Në këto kushte u bëra nismëtar i organizatës “Rom Aktiv Albania” dhe mësova metodikën e gjuhës rome. Pas kësaj çdo ditë e jetës time ka qenë pranë fëmijëve romë për t’iu mësuar të shkruajnë e lexojnë gjuhën e nënës, por edhe për mbështetje shkollore në gjuhën shqip”, rrëfen ai.

Kazanxhiu ndihet krenar teksa si rezultat i punës së tij 17 të rinj të komunitetet romë në Baltëz, kanë përfunduar studimet e larta dhe sot kërkojnë të angazhohen në administratë.

Për të shqetësimi kryesor mbetet fakti se romishtja po harrohet, për shkak se shumica e tyre dinë vetëm ta flasin dhe jo ta shkruajnë, ndërsa të rinjtë hezitojnë edhe ta flasin.

Në klasën e hapur në një ambient shtëpie në Mbrostar, sot numërohen rreth 23 nxënës. Këtu, mësuesi rom përpiqet t’i japë orës mësimore të gjithë elementët e të nxënit, duke filluar nga një program pune i cili zbatohet me përpikëri si në çdo shkollë publike.