Duke nisur nga muaji korrik i vitit të ardhshëm, nuk do të ketë rroga më të ulëta se 90 mijë lekë për mësuesit. Kështu ka deklaruar ministrja Ogerta Manastirliu, teksa ka prezantuar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024” për arsimin dhe sportin.

 

OGERTA MANASTIRLIU

MINISTRE E ARSIMIT DHE SPORTIT

 

“Të mos ketë pagë më të ulët se 90 mijë lekë, kjo është ambicia jonë. Dhe për këtë arsye kemi parashikuar një mbështetje buxhetore për 2024-n e cila do të fillojë në korrik për mësuesit ashtu sikurse edhe për të gjithë profesionistët e tjerë që do të kenë rritje page për 2024-n. Dhe kjo do të jetë një mbështetje e konsiderueshme për mësuesin, duke filluar që nga arsimi bazë deri te ai i mesëm. Ky do të jetë standardi bazë që do të vendoset dhe pastaj rritjet sipas kategorive.”

 

Po ashtu, rritje të pagave do të përfitojnë edhe mësuesit ndihmës, psikologët, punonjësit social si dhe edukatorët.

 

“Rritje të pagës do të përfitojnë edhe psikologët, punonjësit social si dhe mësuesit ndihmës. Do të kemi 100 mësues ndihmës më shumë sepse duam ti afrohemi standardit një mësues për dy nxënës.”

 

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, mori një fokus të rëndësishëm, nevoja e monitorimit dhe kontrollit më strikt të universiteteve private.

 

“Nga viti 2022 kemi kryer inspektimin në 12 universitete private dhe vijojmë punën për 27 të tjera. Fokusi ynë në këto vite ka qenë akreditimi i institucioneve dhe programeve. Jemi duke punuar për të pasur një panoramë më të qartë.”

 

Projekt-buxheti i vitit 2024 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit parashikohet në vlerën 56 miliardë e 223 milion lekë ose 9 miliard e 49 milion lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2023.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re