Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve që të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin e përbashkët. Por ai i kërkon qeverisë që të mendohet mirë përpara se t’i vendosë ato, që të shmangë konflikte.

“Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne.”, ishte reagimi i tij.

Por kreu i shtetit i bëri edhe një kërkesë autoriteteve.

“Është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre. Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore.”, u shpreh Meta duke shtuar “Masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave.”.

Sipas tij, bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re