7 maj Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë takimit elektoral në Berat me kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Zija Ismaili, tha se, “jam shumë i bindur se sot një javë do të festojmë, pasi qyteti historik do të bëhet pjesë e ndryshimit historik.

Meta tha se, “shikoj Mangalemin dhe Urën e Goricës dhe të gjithë besoj kalojmë historinë e këtij qyteti që i mbijetoi pushtuesve që i shpëtoi edhe kodikët, por që u masakrua në mënyrën më të pabesë nga rilindja e betonit dhe ju e dini shumë mirë që në sheshin kryesor të këtij qyteti pjesë e UNESCO, krenari kombëtare është hedhur një beton i pafund i korrupsionit dhe arrogancës së rilindjes”.

“Ju e dini shumë mirë se ai beton u hodh në mënyrën më kriminale duke zhbërë dhe duke hedhur në Osum miliona dollarë të taksa paguesve amerikanë. Kjo çështje është në Prokurori dhe e mban të bllokuar Edi Rama, arkitekti i shkatërrimit të Durrësit me velierën 10 miliardë lekë, që ka goditur zemrën dhe identitetin e atij qyteti”, theksoi Meta.

Meta i kërkoi banorëve të Beratit të votojnë në 14 maj për kandidatin Zija Ismaili.

“I ftoj të gjithë banorët e Beratit që më 14 maj të votojnë me përgjegjshmëri për njeriun më të mirë, për atë që nuk do të hyjë në bashki nga para e të dalë nga mbrapa, por për atë që do të hapë dyert e bashkisë 24 orë për qytetarët. Për njeriun që di të mbajë premtimet”, tha Meta.

/k.s/ /gj.m/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re