Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri një bisedë telefonike me homologun tij të Maqedonisë së Veriut, Stevo Panderovski, ku u diskutua për gjendjen aktuale dhe masat e marra nga të dyja shtetet për përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19.

Të dy krerët e shteteve vlerësuan ndihmën e Bashkimit Evropian për tejkalimin e saj. Ata shprehën vullnetin për shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin ku të jetë nevoja, me qëllim tejkalimin sa më të shpejtë të krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Presidenti Meta u interesua në veçanti për situatën në zonat e banuara nga shqiptarët dhe shprehu kënaqësinë për kujdesin e treguar dhe masat e marra nga autoritetet shtetërore.

Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë që deri tani në Bashkinë e Pustecit fatmirësisht nuk kemi asnjë rast shqetësues.

Gjatë bisedës telefonike, Presidenti Meta përshëndeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dy vende fqinje, aleatë në NATO, dhe me vizione të përbashkëta europiane dhe euro-atlantike, do të forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin e kontributin në dobi të forcimit të mëtejshëm të sigurisë kolektive”, – tha presidenti Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re