Një ditë pas takimit në Presidencë me  kryeministrin Rama lidhur me paktin detar me Greqinë, mësohet se Meta është shprehur se nuk mund të marrë një vendim tani, pavarësisht kërkesës  për mos të humbur kohë.

Kreu i shtetit  ka kërkuar detaje mbi termat e marrëveshjes, të cilat pretendohet se kryeministri Rama nuk ja ka vënë në dispozicion në nivel të kënaqshëm që Presidenti i Republikës të bindet për të autorizuar nënshkrimin e marrëveshjes.

Meta heziton të firmosë autorizimin në kushtet kur vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, e gatshme për çdo rast nëse ndonjë faktor në vend do të ankimonte marrëveshjen.

Me këtë qëndrim mund të thuhet hapur se presidenti po bllokon marrëveshjen pasi procesi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese mund të marrë edhe 6 muaj ose edhe më shumë.

Në një dalje publike një ditë pas takimit, Meta tregoi se ka nevojë për më shumë informacion duke treguar detaje nga biseda me Ramën.

“Takimi i djeshëm me Ramën ka qenë normal. Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, kemi diskutuar, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtejshme, pasi Presidenca pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze, që meriton kjo çështje”, tha Meta.

Jo rastësisht, po në të njëjtën ditë Meta tha edhe se duhet ngritur sa më shpejt Gjykata Kushtetuese.

“Shpreh kënaqësinë për konfirmimin e zotit Dedja te Gjykata Kushtetuese, është i merituar. Dua të nënvizoj rëndësinë e vettingut për anëtarët e Kushtetueses. Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale për të vlerësuar kushtetutshmërinë e debateve, ligjeve dhe akteve”, deklaroi kreu i shtetit.

Deri më tani janë zhvilluar vetëm dy raunde bisedimesh mes grupeve negociatore, një në Tiranë e një në Athinë, nga të cilat informacioni ka qenë hermetik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re