Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” rapsodin e njohur Viktor Paloka “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara si njëri prej rapsodëve të njohur të këngës popullore, udhëheqës dhe organizator i veprimtarive të shumta dhe autor tekstesh këngësh. Me mirënjohje ndaj veprës së tij artistike, që e bëri të spikasë në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore jo materiale, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke lartësuar vlerat e rralla të artit popullor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të familjarëve dhe artistëve të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Të nderuar pjesëmarrës, jemi sot së bashku, për të nderuar e vlerësuar një emër të njohur në fushën e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare, rapsodin e shquar Viktor Paloka.

Trevat tona shqiptare dallohen për trashëgimi shumë të pasur kulturore, që dëshmojnë lashtësinë, madhështinë dhe vlerat e popullit tonë: trashëgiminë materiale, me objekte, monumente, vepra, objekte arti e artekrafte të shumta të trashëguara ndër shekuj, por dhe trashëgiminë jo materiale, me folklorin, traditat, gjuhën, shprehjet, njohuritë tradicionale e krijimtarinë popullore, të përcjella brez pas brezi.

Kjo trashëgimi kulturore është mbartëse e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë kombëtar dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme shkencore e kulturore, për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Elemente të tillë të identitetit si: gjuha, kultura, traditat, zakonet, veshjet, mbajnë gjallë kombet ndër shekuj.

Prandaj, është thelbësore ruajtja e këtyre elementëve, që na bëjnë të themi me krenari që jemi shqiptarë dhe për të cilat, shumë patriotë shqiptarë kanë dhënë jetën.

Sot, nderimi për rapsodin e shquar Viktor Paloka, është nderim dhe mirënjohje për të gjithë kontribuesit e shquar të folklorit tonë, qofshin krijues apo interpretues të tij.

Zoti Paloka ka një kontribut rreth 50-vjeçar në skenë, në krijimtari dhe në drejtim artistik. Jeta e tij ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht, që në lindje, me këngën dhe rapsoditë.

Familja Paloka ka një traditë të vjetër dhe njihet si familje e shquar, që ka nxjerrë nga gjiri i saj, për pesë breza, mjaft artistë popullorë.

Gjatë gjithë karrierës së tij zoti Paloka është kontribues i shquar i folklorit, jo vetëm si rapsod interpretues, por edhe si krijues i qindra teksteve.

Zoti Paloka ka qenë, gjithashtu, drejtues artistik i Ansamblit Folklorik të Vaut të Dejës dhe organizator i veprimtarive të shumta brenda dhe jashtë vendit, për të cilat është vlerësuar shpesh me çmime, trofe e diploma nderi.

Dashuria e tij për folklorin dhe përhapjen e tij është e jashtëzakonshme, duke e bërë pjesëmarrës në shumë simpoziume, konferenca e panele shkencore rreth trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë, që në fushën e publikimeve, për vlerat e trashëgimisë kulturore, zoti Paloka ka dhënë kontributin e tij me botimin e tre librave me tematikë traditat kulturore të zonës, botimin e disa albumeve muzikore, disa dokumentarëve dhe emisioneve televizive.

Ajo që e bën zotin Viktor Paloka të veçantë, si rapsod interpretues dhe organizator artistik është njohja e thellë dhe puna me pasion e përkushtim në drejtim të ruajtjes dhe përhapjes së trashëgimisë kulturore të zonës dhe asaj shqiptare.

Ekspozimi dhe përhapja e kësaj trashëgimie është shprehur përmes këngëve, valleve, instrumentave dhe kostumeve origjinale, për të cilat zoti Paloka dhe grupi nga Vau i Dejës kanë gjetur vlerësimin maksimal nga publiku dhe nga specialistët.

Edhe pse sot është në pension, zoti Paloka vazhdon me dashuri e përkushtim punën e tij për përhapjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, si shprehje e pasurisë sonë shpirtërore kombëtare.

Në nderim të kontributit të gjatë e të çmuar për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kombëtare jo materiale, si dhe të veprës së tij artistike, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zotin Viktor Paloka me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re