Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme ligjin “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”. Lajmi është bërë i ditur nga presidenca përmes një njoftimi për publikun, ku thuhet se ky ligj është një hap para drejt transparencës së zotëruesve të kapitalit të subjekteve tregtare. Gjithashtu në njoftim thuhet se akti nuk duhet të mbetet vetëm në letër por duhet të fillojë zbatimin e tij të menjëhershëm.

Njoftimi i presidencës së Shqipërisë: Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”.

Ky ligj është një rekomandim i përsëritur për Republikën e Shqipërisë nga Komiteti i  Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) të Këshillit të Europës, për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues të subjekteve tregtare dhe organizatave jofitimprurëse, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Ky ligj është një hap para drejt transparencës së zotëruesve të kapitalit të subjekteve tregtare, por që po në funksion të kësaj transparence, mund të kishte përcaktuar edhe më qartë detyrimin për deklarimin dhe regjistrimin e subjekteve, pa kufizime, në raport me aksionet/kuotat të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

Ky ligj nuk duhet të jetë një akt që miratohet vetëm për qëllime raportimi pranë Moneyval, por është me rëndësi themeltare për Shqipërinë, të nisë menjëherë zbatimi i tij dhe transparenca me zotëruesit e aksioneve, pa u zvarritur nga Këshilli i Ministrave nxjerrja e akteve nënligjore që mundësojnë fillimin e implementimit.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË PRESIDENTI D E K R E T PËR SHPALLJE LIGJI: Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës, D e k r e t o j Shpalljen e ligjit nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”.

Nr. Dekretit 1159 Tiranë, më 10.08.2020 PRESIDENTI I REPUBLIKËS ILIR META

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re