Presidenti Ilir Meta ka dekretuar lirimin e katër ambasadorëve të Shqipërisë. Bëhet fjalë për krerët diplomatikë në OKB, Hungari, Këshillin e Europës dhe UNESO.

Mes të liruarve nga detyra është dhe vajza e Ismail Kadaresë, Besiana Kadare të cilës i mbaroi mandati si ambasadore pranë OKB.

Ajo ishte njëkohësisht ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.

Besiana Kadare është propozuar si ambasadore në UNESCO, kurse Ferit Hoxha që mban aktualisht këtë pozicion është propozuar për ambasador të Shqipërisë në OKB.

Po ashtu edhe Arian Spasse i Hungarisë dhe Albana Dautllari e Strasburgut janë liruar nga detyra.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës:

1 tetor 2021

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, pika 2, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit, ka dekretuar, disa lirime të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare.

Konkretisht:

– Zoti Arian Spasse, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, rezident.

– Zonja Albana Dautllari, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.

– Zonja Besiana Kadare, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.

– Zoti Ferit Hoxha, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re