Me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij si dhe në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë në seancën e radhës të dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë, të mbajtur në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare.

Në takimin e zhvilluar në Qendrën e Krishterë Shqiptare, ku merrte pjesë edhe Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo, Presidenti Meta u shprehu mirënjohjen kryepastorit Ylli Doçi dhe anëtarëve të Vëllazërisë Ungjillore si dhe të rinjve e të rejave vullnetarë për gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar kësaj kauze fisnike dhe humane.pr

Kreu i Shtetit falënderoi Vëllazërinë Ungjillore dhe dhuruesit e gjakut, duke theksuar se dhënia e gjakut për fëmijët talasemikë, sidomos në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së COVID-19, është një gjest tepër njerëzor dhe mision jashtëzakonisht jetik.

“Mirënjohje Bashkësisë Ungjillore Shqiptare, që prej 10 ditësh nëpërmjet një maratonte të dhurimit të gjakut, ka udhëtuar nga jugu në veri të Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë, nga Korça në Gjirokastër, për t’u përfunduar sot më 14 qershor, në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në Tiranë, duke dhënë një kontribut të çmuar për këtë kauzë jashtëzakonisht humane dhe fisnike, për të cilën e gjithë shoqëria jonë i është mirënjohëse”, – nënvizoi ndër të tjera Presidenti Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re