Presidenti i vendit Ilir Meta me anë të një postimi në “Facebook” ka lajmëruar se ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të operatorëve turistikë.

Meta në këtë takim është shprehur se sezoni turistik në Shqipëri në këtë vit parashikohet të jetë i vështirë.

Ai shton se turizmi është ndër sektorët më të prekur nga pandemia, andaj duhet një plan konkret për të.

POSTIMI:

Turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19 dhe sezoni i ri turistik në vend parashikohet tejet i vështirë.

Veç humbjeve gjatë periudhës së karantinës, shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë familjare dhe kombëtare.

Shqetësimi i thellë për krizën e rëndë ku ndodhet ky sektor m’u shpreh sot edhe në takimin që zhvillova me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend.

Nevojitet qartësi, solidaritet gjithëpërfshirës kombëtar, një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit, që dëmi i shkaktuar nga pandemia COVID-19 të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt, në mënyrë që familjet e bizneset shqiptare të cilat të ardhurat i kanë nga turizmi, të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni.

Me rifillimin e fluturimeve dhe hapjen e kufijve tokësorë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët, duhet të mbështesim turizmin vendas dhe familjet shqiptare që mbahen gjatë vitit nga sezoni turistik.

Për këtë është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore të përshtatura për vendqëndrimet, mjetet e transportit, hotelet, bregdetin, dhe zonat e tjera që vizitohen dhe ku pushojnë turistët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re