Presidenti i vendit, Ilir Meta e ka nisur ditën sot me një mesazh shprese. Kreu i shtetit ka ndarë me ndjekësit e tij një foto në Facebook, teksa ka pozuar i qeshur në një pemë kumbulle të mbushur plot me lule.

“Lulet po shtohen! Pranvera nuk ndalet!”, shkruan kreu i shtetit.

Kujtojmë se një ditë më parë kërkoi të merren një sërë masash për të përballuar situatën nga koronavirusi, duke kërkuar më shumë fonde për këtë arsye.

Presidenti Meta: Nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje. Unë që në datë 31 janar 2020 kam kërkuar publikisht marrjen e masave ende pa u shfaqur rastet në Itali dhe më pas menjëherë u kam kërkuar në mënyrë zyrtare të gjitha institucioneve të parapërgatiten për këtë situatë edhe në vijimësi.

Edhe dje kam bërë një kërkesë edhe më të fortë për përshkallëzimin e masave pas zhvillimeve dramatike në Italinë fqinje. Qeveria sot ka marrë një seri masash në këtë drejtim.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore dhe të qeverisë për të bërë çdo gjë, jo vetëm për të hetuar këto dy raste, pasi është shumë e rëndësishme të kuptojmë që nënvlerësimi më i vogël i një qytetari mund të sjellë një rrezik të madh, pasi i gjithë rrjeti potencialisht i kontaktuar mund të kthehet secili prej tyre në një bartës dhe një shpërndarës pa dashje të këtij virusi, gjë që mund të nxjerrë situatën jashtë kontrollit.

Por unë besoj se veprimet po bëhen me përgjegjësi të plotë dhe ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me të gjithë.

Që nga dita e sotme edhe në Presidencë kemi një Task-Force që drejtohet nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare dhe do të ketë edhe një adresë për të gjithë personat, të cilët kanë shqetësime, të cilët shohin nënvlerësime në terren nga persona të caktuar apo që nuk marrin trajtimin e duhur si edhe nuk u kushtohet vëmendja e duhur.

Kështu që besoj se me një përgjegjshmëri maksimale ne do të arrijmë të kemi situatën nën kontroll. Sot kam folur edhe dy ambasadoret tona, edhe në Romë, edhe në Greqi, sidomos Italia jashtëzakonisht e prekur nga ky virus dhe me potencial mjaft të rrezikshëm edhe për të depërtuar edhe në vendin tonë, por unë besoj se ne të gjithë do të bëjmë më të mirën.

Ftoj çdo qytetar që të tregojë përgjegjshmërinë maksimale, për shëndetin e tij, të familjes së tij dhe të gjithë shoqërisë sonë. Dhe në veçanti masat mbrojtëse për pajisjet e domosdoshme për personelin shëndetësor për mjekët, për infermierët janë prioritet mbi prioritete, ashtu sikurse edhe për të gjithë personelin tjetër të fushës së sigurisë, që do të angazhohet në gjithë procesin.

Janë disa gjëra që kërkojnë fonde dhe fondet duhen gjetur patjetër, sepse në qoftë se do të neglizhohet në disa fonde në fillim, atëherë do të investohet shumë më tepër në të ardhmen dhe situata mund të dalë dhe jashtë kontrollit. Por ka dy gjëra, që nuk kërkojnë fonde, kërkojnë vetëm përgjegjshmëri, qytetari dhe patriotizëm.

Këto janë bashkëpunimi i secilit qytetar dhe kujdesi që çdo qytetar bën për shëndetin e tij, të familjes së tij dhe për të gjithë. Dhe e dyta është edhe vullnetarizmi. Mendoj që është edhe një moment vullnetarizmi. Të gjithë ata intelektualë, të gjithë ata profesorë, të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë mund të jenë me mjaft kontribut në këtë moment.

Vullnetarët e Kryqit të Kuq, të cilët kanë njohuri dhe eksperiencë, pra janë të gjithë këto potenciale që mund të vendosen në mënyrë të organizuar në ndihmë të të gjithë ekipit që po merret me këtë çështje, sepse kuptohet mjekët dhe infermierët kanë edhe ngarkesën e përditshme, e cila nuk është e pakët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re