Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka quajtur antikushtetues vendimin e Presidentit Ilir Meta për dekretimin e Marsida Xhaferllarit për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë në Vizion Plus, Balla deklaroi se Presidenti Ilir Meta “mund të dekretonte në këtë post edhe Enkelejd Alibeajn, bashkëjetuesin e Marsida Xhaferllarit”. I pyetur për këto komente të Ballës, reagimi i presidentit Ilir Meta ishte i ashpër.

“Unë nuk jam këtu për t’u marrë me thashetheme që u takojnë vetëm njerëzve dhe politikanëve që nuk kanë asnjë dinjitet institucional, por as familjar dhe shoqëror. Mos prisni nga unë të merrem me gjëra të tilla” – tha Meta.

Duke folur për Xhaferllarin, Meta tha se ajo ishte kandidatja më e mirë, por ia kishin ulur pikët në KED për arsye politike.

“Është emri me CV-në më të shkëlqyer nga kandidatët e përzgjedhur nga KED. Me kualifikimet më të larta, si sa i takon shkollimit, edhe eksperiencës. Këto janë gjëra shumë të qarta, presidenti nuk merret me asnjë individ. Nëse presidenti nuk do kishte besimin tek asnjë individ. Si mund të banalizosh ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese me histori të tilla” – tha Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re