Në një intervistë për Il Messaggero, presidenti Meta u vu krah kryemnistrit Rama në gjestin e këtij të fundit për marrjen e 12 emigrantëve eritreas nga anija Dicioti, mbetur në bregdetin italian. Dhe argumenti ishte po i njëjti: si mirënjohje ndaj Italisë për atë që bëri në vitet ’90 me shqiptarët.

“Nuk dua të bëj polemika apo interpretime të cilat nuk shërbejnë. Unë di që në fund të gjithë kanë kuptuar gjestin tonë si një veprim solidariteti dhe vullneti të mirë. Megjithatë mendoj se Italia nuk duhet lënë e vetme përballë fenomenit. Ne i detyrohemi Italisë për ndihmën dhe solidaritetin e dhënë ndaj shqiptarëve në vitet ’90. Mendoj se të gjithë i detyrohen Italisë, duke kuptuar vështirësitë dhe sakrificat e bëra përballë fenomenit të imigracionit me një mikpritje të rrallë”, tha presidenti Meta.

Kreu i shtetit shqiptar u shfaq gjithashtu i merakosur për pozitën e Italisë përballë valës së emigrantëve nga Afrika.

“Vendi juaj për shumë kohë është përballur vetëm në linjë të parë me krizën e emigracionit të paligjshëm. Rasti i anijes Dicioti është i rëndësishëm sepse tregoi kudo në kontinentin e vjetër se duhen politika të reja të përbashkëta. Duhet gjithashtu të ndryshojë qasja strategjike e BE ndaj këtij fenomeni. Politika e jashtme nuk duhet vetëm për të administruar mbërritjen e emigrantëve por mbi të gjitha për ta parandaluar atë. Situata në Afrikën e Veriut dhe në Siri imponon një rol politik dhe në këtë drejtim Brukseli duhet të bëjë më shumë”, tha Meta, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në fqinjin përtej detit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re