Një nga miqtë më të mirë, me të cilin ndan kujtime të veçanta, kështu e ka cilësuar Presidenti i Republikës, Ilir Meta deputetin Bashkim Fino, i cili humbi sot betejën me Covid-19.

Në një prononcim për mediat, pas homazhe në nder të tij, mbajtur në Pallatin e Kongreseve, Presidenti Ilir Meta tha se “Bashkim Fino ishte shumë njerëzor, shumë bujar, shumë zemërgjerë, tolerant dhe dinte të dallonte marrëdhëniet politike nga raportet njerëzore.”

Fjala e plotë:

Bashkim Fino ishte një nga miqtë e mi më të mirë dhe do të mbetet. Në një moshë shumë të re ai u bë një figurë frymëzuese, si kryetar i bashkisë Gjirokastër, ishte edhe baza e përzgjedhjes së tij mes shumë kandidaturave në ‘97 për të krijuar një qeveri të pajtimit dhe stabilitetit.

Detyrë që e bëri në mënyrë të jashtëzakonshme, pasi e dimë të gjithë sa i ndarë ishte vendi.

Kam kujtime të veçanta me të, ishte një përkrahës i të rinjve dhe një figurë sportive, i dhënë pas sportit, edhe kjo na bashkonte.

Ai ishte shumë njerëzor, shumë bujar, shumë zemërgjerë, tolerant dhe dinte të dallonte marrëdhëniet politike nga raportet njerëzore.

Moment shokues, ndarja nga jeta e tij, edhe pse kishte patur disa sfida me shëndetin të cilat i kishte fituar me sukses.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re