Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se referendumi i 25 prillit do të përmbysë më votë plebishitare qeverinë.

Në një status në Facebook, Kreu i Shtetit me tone të ashpra thotë se qeveria është e tmerruar nga angazhimi politik i Presidentit në mbrojtje të Kushtetutës.

Sipas tij, në 25 prill, demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë.

“Referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh. Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë.

Ndaj me gënjeshtra të orkestruara nga kryeoligarku e të bëra publike në mediat e kapura prej tij, kujtojnë se do të frenojnë Presidentin të bëjë detyrën kushtetuese për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që është fuqia dhe e ardhmja e tyre.

Kot lodhen me shpifje, shantazhe, frikësime, gjoba arbitrare, fabrikime sondazhesh të gënjeshtra për të demoralizuar qytetarët të votojnë apo me blerje “opozitarësh”, që kurrë nuk kanë mbrojtur interesin publik e kombëtar por që mendojnë vetëm për “përsheshin” e radhës.

Shqiptarët do të votojnë më 25 prill 2021 për lirinë e dinjitetin e tyre, si asnjëherë më parë në këto 30 vite.

Më 25 prill 2021, Demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë.

Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit”, shkruan Presidenti Meta.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re