Presidenti Ilir Meta i ka akorduar titullin “Mjeshtër i Madh”, artistes së ndjerë, Hueyda El Saied.

 

Meta shkruan se mes shumë emocioneve të veçanta, këtë titull ia ka dhënë djalit të saj Gabriel.

 

“Mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.

Hueyda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim.

Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.

Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry.

Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!”, shkruan Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re