Ilir Meta shprehet i bindur se do të qëndrojë në zyrën e Presidentit deri në 24 korrik 2022 dhe se nuk ka frikë se do të shkarkohet nga Parlamenti që sipas tij ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës.

“Nëse Parlamenti çmendet, sepse nuk është se s’ka pasur edhe momente të tilla. Por duhet të jeni të qartë që dhe në rast se Parlamenti e ka këtë dëshirë, nuk është thjeshtë vetëm te Gjykata Kushtetuese, por Parlamenti ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Referohuni deklaratës sime në Pogradec, sepse ju mendoni ndonjëherë se kur ngre tonin humbas kontrollin, por nuk është kështu. Dua thjesht të thyej ndonjë herë monotoninë” – tha Meta.

A e ka menduar Meta shpërndarjen e Parlamentit?

“Unë do bëj çdo gjë që vendi të normalizohet sa më shpejt, siç e kam bërë në mënyrë të vazhdueshme. Unë do të sillem gjithmonë si President i Republikës së Shqipërisë, si një shtet i së drejtës dhe jo si një shtet i propagandës.

Unë ju thashë që 82 vota janë legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës. Kaq! Në qoftë se me 82 vota legjitime mjafton gjykimi i Presidentit të Republikës, le ta bëjnë kur të duan. Por tjetra, keni parasysh që unë jam betuar për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo do të thotë që unë jo vetëm që do sillem si President i Republikës së Shqipërisë, por në fund fare dhe si Presidenti i të gjithë shqiptarëve, jo shqipfolësve” – e mbylli Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re