Skip to content

Meta kërkesë Kuvendit: Të rikthehet për shqyrtim çështja e Parkut Kombëtar të Butrintit

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Presidenti i vendit, Ilir Meta i është drejtuar kuvendit me një kërkesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për Parkun Kombëtar të Butrintit.

 

Meta ka kërkuar rikthimin në Kuvend që kojo çështje të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur përmes një procesi real dhe të thelluar diskutimi.

 

Kërkesa e plotë:Me qëllim:– respektimin e parimeve kushtetuese dhe vlerave universale;– mbrojtjen e trashëgimisë tonë kombëtare nga shtrembërime të çdo lloj natyre;– respektimin e Konventës së Parisit dhe parimeve të përcaktuara nga UNESCO;– për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit;– për të mos lejuar asnjë mundësi që pasuria e shqiptarëve të keqadministrohet dhe pjesët më të rëndësishme të saj që faktojnë gjurmët reale të identitetit ilir dhe shtetit shqiptar të humbasin;– në respekt të Rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë të datës 19 maj 2022 dhe i bindur dhe mbështetës për gjithë sa parashtrohet në këtë Rezolutë;– me qëllimin që pasuria dhe financat e shtetit që krijohen nga një pasuri kombëtare e patjetërsueshme, të administrohen në funksion të kësaj çështje në mënyrën më të mirë të mundshme;– duke respektuar njëkohësisht dhe vullnetin dhe angazhimin prej vitesh të Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF);– në respekt të çdo eksperti dhe qytetari dhe anëtari të shoqërisë civile të Republikës së Shqipërisë, i cili përmes opinioneve, vlerësimeve dhe angazhimeve kërkon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe pasurisë sonë të përbashkët;mbështetur në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës, si Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, kam vendosur që ky ligj duhet të rikthehet edhe një herë në Kuvend, me qëllim që kjo çështje, të marre kohën dhe vëmendjen e duhur, për t`u vlerësuar përsëri nga Kuvendi, përmes një procesi real dhe të thelluar diskutimi.Lidhur me këtë çështje kaq të rëndësishme, si President i Republikës, vlerësoj se në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 24 të Rregullores së Kuvendit , kjo çështje, hyn pikërisht në llojin e atyre çështjeve të një rëndësie ekstremisht të veçantë, e cila kërkon kujdes të lartë nga organet shtetërore dhe për këtë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të miratojë dekretin e Presidentit, dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili përmes një procesi të gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi, të mund të prodhojë produktin më të mirë, e përmes një dakordësie të gjerë t`u ofrojë brezave që vijnë zgjidhjen më të mirë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe gjithë pasuritë të çdo lloji pjesë e tij.Në këtë mënyrë, jo vetëm do të garantojmë zgjidhje dhe zgjedhje më të mira, por do të ishim në unison dhe me kërkesat e Parlamentit Evropian i cili në datën 19 maj 2022, ka miratuar Rezolutën me përplot 73 pika, ku ndër të tjera, bën thirrje që politika shqiptare të tregojë pjekuri politike në trajtimin e çështjeve me interes publik, të rrisë demokracinë, rikujton përgjegjësinë e autoriteteve qendrore dhe lokale për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje, si dhe thekson se përmirësimi i qeverisjes, transparenca, siguria ligjore, përfshirja dhe dialogu social janë thelbësore për stimulimin e investimeve të huaja direkte dhe mbajtjen e punëtorëve të kualifikuar; bën thirrje për një përfshirje kuptimplotë të shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në debatin mbi veprimet e politikave.Nëse shumica në Kuvendin e Shqipërisë do të zgjedhë siç dhe ka deklaruar publikisht të rrëzojë politikisht dekretin e Presidentit të Republikës, dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 50/2022, kjo nuk do t`i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë