Presidenti Ilir Meta i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit nisjen e auditimit të plotë në shoqërinë “Albcontrol”, pas braktisjes së punës nga kontrollorët që u bë shkak për pezullimin e fluturimeve.

Njoftimi i plote:

Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:

–   mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;

–  respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;

–   përdorimin e fondeve publike;

–   respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe

–   çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.

Presidenti Meta po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale,  duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast.

Presidenti i Republikës u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re