Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kritikuar qeverinë, se nuk po iu ofron mbështetje financiare blegtorëve, të cilatë sipas tij kanë vështirësi të mbulojnë kostot e prodhimit.

 

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se kjo është arsyeja pse në 5 vitet e fundit ka pasur ulje të bagëtive.

 

“Mohimi i mbështetjes për fermat tona blegtorale, mungesa e mbështetjes financiare nga Qeveria për fermat dhe bagëtitë tona, ka bërë që sektori blegtoral vendas të mos mbulojë dot kostot e prodhimit.

 

Prandaj edhe numri i krerëve brenda një pesëvjeçari është thuajse përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme”, shkruan Meta.

 

Kreu i PL-së shton më tej se Shqipëria prodhon më pak qumësht, në raport me vendet e tjera të Europës.

 

“Shqipëria, prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Europë. Vetëm 41 litra qumësht nga bagëtitë për banorë, ndërkohë që në Europë kjo sasi shkon deri në 1900 litra qumësht për banorë.

 

Kjo ulje e jashtëzakonshme e prodhimit vendas të qumështit, ka çuar në rritje me 70% të çmimeve të bulmetit për konsumatorin, në krahasim me një vit më parë.

 

Qumështi ynë sot u shitet qytetarëve më të varfër të kontinentit, 30% më shtrenjtë se sa fqinjët dhe Europa.

 

Fermerët dhe blegtorët duhet të dinë se shfarosja e programuar e bagëtive të vendit është ftesë për braktisje dhe largim të tyre.

 

Zbrazja e vendit është e lidhur në veçanti me falimentimin e qëllimtë të Bujqësisë dhe të Blegtorisë. Ndaj 14 Maji është vendimtar për Ndryshimin dhe ndalimin e shpopullimit!”, shkruan Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re