Skip to content

Meta kthen ligjin e “Shtetësisë”: Antikushtetues, i heq kompetencat Presidentit

Në vazhdimësinë e mosdekretimit të ligjeve, Presidenti Ilir Meta kthen për rishqyrtim edhe ligjin për shtetësinë.

Një nga arsyet është antikushtetueshmëria.

Sipas kreu të shtetit, ligji kufizon kompetencat e institucionit të presidentit për të bërë refuzimin e kërkesës për fitimin apo lejimin e lënies së shtetësisë.

ILIR META

PRESIDENT I REPUBLIKES

Ministria e Brendshme mund të përcjellë propozimin “për dhënien ose jo të shtetësisë shqiptare”, apo përkatësisht “për lejimin e heqjes dorë nga shtetësia shqiptare”, por kurrsesi nuk mund t’i diktojë Presidentit të Republikës të “nxjerrë dekretin. Ministria mund t’i përcjellë Presidentit të Republikës vetëm praktikën dhe propozimin e saj për pranimin ose jo të kërkesës për lënie shtetësie, dhe është Presidenti i Republikës, i cili vlerëson plotësinë e praktikës dhe themelin e kërkesës, dhe në fund, mund të shprehet me dekret sipas Kushtetutës për lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare, dhe jo me dekret për “heqjen e shtetësisë”. Një parashikim i tillë kufizon kompetencat kushtetuese ekskluzive të Presidentit të Republikës për t’u shprehur për miratimin apo refuzimin e kërkesës për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Rezerva Ilir Meta shprehet edhe për krijimin e një agjencie shtetërore të posaçme me vendim të këshillit të ministrave që do të ushtrojë një kontroll të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës së individit i cili do të fitojë shtetësinë shqiptare.

ILIR META

PRESIDENT I REPUBLIKES

Kur krijohet një institucion i ri duhet të ishin përcaktuar në këtë ligj emri, selia, misioni si dhe funksioni i tij. Kjo tregon për një mungesë të theksuar të qartësisë në procesin ligjbërës, nxitimit në miratimin e përmbajtjes së dispozitave dhe në vlerësimin e nevojës së krijimit të institucioneve të reja që mbivendosin funksionet dhe detyrat që kryhen nga organe të specializuara si Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Moskonsultimi i mirëfilltë, mosreflektimi i rekomandimeve të institucionit të presidentit gjatë hartimit të draftit dhe miratimi i ligji me ndikim të drejpërdrejte në sigurinë kombëtare me votë të thjeshtë dhe jo të cilësuar janë disa nga arsyetimet ligjore që kreu i shtetit rendit në kthimin e ligjit.