Ilir Meta i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës me një letër ku i kërkon krijimin e dekoratës “Mbretëresha Geraldinë”.

Sipas tij kjo dekoratë propozohet në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorin e rikthimit në atdhe të Familjes Mbretërore Shqiptare.

Në letrën për kryeparlamentaren, Meta thekson se: “Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane”

Letra e Presidentit Ilir Meta:

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit, viti 2022 shënon 100-Vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-Vjetorin e rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore Shqiptare.

Në kuadër të këtyre dy momenteve të rëndësishme për vendin tonë, kam kënaqësinë të kërkoj bashkëpunimin tuaj, për të bërë të mundur krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”. 

Kjo dekoratë do të jetë vlerësim dhe mirënjohje për Mbretëreshën Geraldinë, e cila e deshi Shqipërinë dhe iu përkushtua, gjatë gjithë jetës së saj, me dashuri e pasion.

Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane.

Jam i bindur që kjo dekoratë e lartë do të rris, njëkohësisht, ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, mbi rolin thelbësor e të pazëvendësueshëm të grave e vajzave shqiptare, për sakrificat, përkushtimin dhe dedikimin e tyre ndaj familjes dhe shtresave më në nevojë dhe për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë.

Propozoj që Dekorata “Mbretëresha Geraldinë” t’u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, kryesisht grave dhe vajzave, kontributi dhe shërbimet e shquara të të cilave, lartësojnë rolin e kombit dhe të gruas shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nën moton e Mbretëreshës Geraldinë “Detyrë dhe Dashuri”.  

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re