Presidenti Ilir Meta I ka dërguar një letër homologut të tij maqedonas, Stevo Pendarovski me rastin e 28 vjetorit të ditës së pavarsisë së Maqedonisë së Veriut.

 

Meta teksa I ka shprehur homologut të tij urimet e përshëndetjet më të ngrohta të popullit shqiptar, thekson me bindje se me Pendarovskin në krye marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen akoma edhe më shumë.

 

Meta në letrën e tij ndalet edhe tek Marrëveshja e Prespës, e cila sipas tij, mbetët një shëmbull për të gjithë rajonin.

 

Letra e Plote

I nderuar Zoti President,

 

28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj.

 

Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen.

 

Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

 

Përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin – që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurtë. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

 

Së bashku me urimet më të mira e të përzemërta për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të vendit Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re